Katari dërgon 60 kamionë me ndihma për Gazën, nisen drejt Egjiptit

60 kamionë me ndihma humanitare për Gazën, të siguruara nga Katari, janë nisur sot, 20 tetor, drejt Egjiptit. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shtetit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Katarit, Mariam bint Ali bin Nasser Al-Misnad, gjatë një eventi në Kajro për bashkëpunimin humanitar mes Katarit dhe Egjiptit në përgjigje të krizës në Rripin e Gazës.

“Në kuadër të angazhimit tonë të vazhdueshëm, javën e kaluar kemi dërguar ndihma humanitare nga Katari përmes një ure tokësore, për t’u përgjigjur nevojave urgjente dhe për të lehtësuar vuajtjet e vëllezërve tanë në Rripin e Gazës, përmes territoreve të Jordanisë dhe Egjiptit. Sot njoftojmë mbërritjen e këtyre ndihmave në territorin egjiptian, në përgatitje për hyrjen e tyre në Rripin e Gazës”, tha ministrja katariote.

Kamionët, të ngarkuar me ndihma, janë nisur nga qyteti Al-Ashir min Ramadan drejt qytetit egjiptian Al-Arish, në përgatitje për hyrjen e tyre në Rripin e Gazës përmes pikës kufitare të Rafahut.

Ngarkesa përfshin 25 500 paketa ushqimore, 1 800 kuti me produkte higjienike, 1 mijë paketa me mallra të nevojës së parë, 400 ton miell dhe 7 400 pako me qumësht për fëmijë.