GAZA/ ZDF: Kolegu palestinez dhe një fëmijë vriten në një sulm izraelit me raketë

Një punonjës i një kompanie prodhimi që bashkëpunonte me transmetuesin publik gjerman ZDF, si dhe një fëmijë, u vranë dje në Rripin e Gazës gjatë një sulmi izraelit me raketë, bëri të ditur sot  ZDF-ja.

*Kolegët tanë palestinezë nga ‘Palestine Media Production ‘(PMP) u goditën nga një raketë në vendndodhjen e tyre në Deir al-Balah, dje pasdite”, njoftoi nga Izraeli korrespondenti i ZDF-së, Thomas Reichart.

Në sulm humbi jetën një inxhinier i kompanisë, si dhe djali 8-vjeçar i një punonjësi tjetër, ndërsa një gazetar i PMP-së mbeti i plagosur.

Ushtria izraelite, e pyetur për arsyet e goditjes, deklaroi se incidenti është nën hetim.

Sipas ZDF-së, pamjet nga vendngjarja tregonin furgonin e transmetimit dhe automjete të tjera të ekipit tërësisht të shkatërruara.

Ekipi i PMP-së po punonte nga ajo zonë që prej muajit qershor, pasi ishte larguar nga kompleksi i gazetarëve pranë Spitalit Nasser në Khan Younis “për arsye sigurie”, shpjegoi Reichart.

PMP-ja bashkëpunon edhe me media të tjera ndërkombëtare dhe ZDF ka punuar me kompaninë për dekada.

Rripi i Gazës konsiderohet aktualisht vendi më i rrezikshëm në botë për gazetarët.

“Është e papranueshme që profesionistët e medias të sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës së tyre”, deklaroi kryeredaktorja e ZDF-së, Bettina Schausten, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave.

Sipas Irene Khan, raportuese e posaçme e OKB-së për lirinë e shprehjes, 252 gazetarë janë vrarë në konfliktin e Gazës që prej 7 tetorit 2023, kur grupi militant Hamas kreu sulmin ndaj Izraelit.