Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të mblidhen sot  në Luksemburg për të diskutuar zhvillimet e fundit në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë.

Shefi i diplomacisë së Ukrainës, Andrii Sybiha, do t’u bashkohet ministrave për t’i informuar mbi situatën në front dhe nevojat më urgjente të Kievit për mbështetje, si edhe për t’i sqaruar mbi përpjekjet e fundit diplomatike të udhëhequra nga SHBA-ja.

Takimi vjen pak ditë pas vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë dhe njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump se së shpejti do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest, në territor të BE-së.

Një nga çështjet kryesore të diskutimit do të jetë propozimi i BE-së për përdorimin e miliarda eurove nga asetet ruse të sekuestruara, për të financuar një fond riparimesh për Ukrainën, si edhe paketa e 19-të e sanksioneve ndaj Rusisë, ku përfshihet një ndalim për importet e gazit të lëngshëm (LNG).

Takimi i sotëm është edhe mbledhja e parë e ministrave të Jashtëm të BE-së që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit në Rripin e Gazës. Edhe pse BE është lënë në hije në përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit, zyrtarët evropianë këmbëngulin se blloku synon të luajë një rol aktiv në sigurimin e stabilitetit rajonal.

Megjithatë, uniteti brenda BE-së mbetet sfidues. Vendet anëtare nuk kanë arritur ende një qëndrim të përbashkët për konfliktin në Gaza, ndërsa një propozim për vendosjen e tarifave ndaj importeve izraelite, si formë presioni ndaj qeverisë së Izraelit për situatën humanitare, mbetet i pezulluar.