Shkencëtarët: Video-lojërat ndihmojnë pozitivisht në 'betejën' kundër Alzheimerit

Teprimi me lojërat video mund të ketë ndikim në jetën tonë të përditshme, në shëndetin tonë mendor dhe fizik. Megjithatë, hulumtimet e reja tregojnë anët pozitive që zakonisht injorohen.

Sipas këtij hulumtimi, të luash lojëra video të dizenjuara posaçërisht mund të bëjë më shumë sesa të argëtojë të moshuarit me probleme të kujtesës.

Shkencëtarët zbuluan se këto lojëra mund të mbrojnë potencialisht zonat e trurit që janë të ndjeshme ndaj formave të hershme të sëmundjes së Alzheimerit, megjithëse studimi mbetet në fazën eksploruese.

Bazuar në përfundime, njerëzit me dëmtim të lehtë njohës që luanin lojëra video, të cilat kombinojnë lëvizjen fizike me ushtrime mendore, treguan një përmirësim në kujtesën e tyre.

Studimi, i botuar në revistën Alzheimer’s Research & Therapy, përfshinte 30 të moshuar me një moshë mesatare prej 72 vjeç, të cilët ishin diagnostikuar me dëmtim të lehtë neurokognitiv. Shumica (87%) kishin prova laboratorike për shkakun e problemeve të tyre të kujtesës, me 62% që tregonin shenja të sëmundjes së Alzheimerit.

Gjysma e grupit vazhdoi me kujdesin e tyre të zakonshëm mjekësor, ndërsa gjysma tjetër përdori një sistem lojërash në shtëpi, ku lojtarët duhej të qëndronin në një platformë të ndjeshme ndaj presionit dhe të manipulonin lojërat me lëvizjet e trupit ndërsa zgjidhnin enigma. Sistemi përfshinte gjithashtu ushtrime frymëmarrjeje për të zvogëluar ankthin dhe për të përmirësuar përqendrimin.