VIDEO/ Ngjarja në Maliq, Shefi i Zjarrfikësve: Ende nuk dihet shkaku i zjarrit fatal

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Maliqit mesditën e djeshme, ku një 40-vjeçare dhe djali i saj 14-vjeçar humbën jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën e tyre. Viktimat janë Merjeme Azizllari, 40 vjeç, dhe djali i saj, L. Azizllari.

Shkaku i vdekjes dyshohet të jetë asfiksia nga tymi. Ndërkohë, vajza 6-vjeçare ndodhet në QSUT, në Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore, me djegie të shumta në trup.

Sipas burimeve, dy fëmijët ishin vetëm në banesë dhe dyshohet se po luanin me shkrepëse në momentin kur shpërtheu zjarri. Nëna ndodhej te fqinjët dhe, kur u kthye, gjeti banesën e mbuluar nga tymi.

Ajo arriti të nxjerrë vajzën jashtë, por kur u rikthye për të shpëtuar djalin, fatkeqësisht mbeti e bllokuar brenda dhe humbi jetën së bashku me të birin.

Sadik Halili, shefi i shërbimit zjarrfikës Maliq, tha në një deklaratë për mediat, se njoftimin për zjarrin e morën rreth orës 13:30 të datës 19 tetor, nga salla operative e policisë. Ai shtoi se menjëherë ekipi i zjarrfikësve mbërriti në vendngjarje brenda një minute, për shkak të afërsisë.

VIDEO/ Ngjarja në Maliq, Shefi i Zjarrfikësve: Ende nuk dihet shkaku i

Kur arritën, zjarr nuk kishte brenda në banesë, por gjetën dy fëmijët, djalin dhe vajzën, jashtë. Djali ishte i pavetëdijshëm, ndërsa vajza ishte e vetëdijshme.

Në derën e kuzhinës gjetën nënën e tyre, e cila ishte asfiksuar dhe kishte ndërruar jetë. Ai njoftoi ambulancën dhe u dha ndihmën e parë viktimave, të cilët më pas u dërguan në spitalin e Korçës.

Për këtë ngjarje është ngritur një grup hetimor, ku ai është pjesë, për të zbuluar shkakun e zjarrit. Sadik Halili tha se aktualisht ekzistojnë dy pista: në kuzhinë ishte ndezur një sobë druri, ndërsa në dysheme janë gjetur disa fije shkrepëse të ndezura. Ai theksoi se ende nuk mund të konfirmojnë shkakun përfundimtar të zjarrit.