Vllaznia fiton në transfertë ndaj Bylisit

Vllaznia e Shkodrës mundi me rezultatin 1-0 në transfertë Bylisin. Sfida, e cila çeli siparin e javës së shtatë të Superligës dhe u luajt në Ballsh dhe u zhbllokua në minutën e 83-të, pas një autogoli të futbollistit Alex Peralta.

Futbollistët vendas u mbrojtën mjaft mirë gjatë gjithë lojës dhe tentuan të befasonin mysafirët me kundërsulme të shpejta, por kryesuesit e Superligës arritën të gjenin golin e avantazhit dhe të fitores shtatë minuta para përfundimit të ndeshjes.

Në frymën e fundit, vendasit barazuan, por pas një rishikimi të gjatë me VAR, goli u anulua, duke sjellë revoltë te ballshiotët dhe tifozët.

Me këtë fitore, shkodranët ruajnë kreun e klasifikimit dhe ngjiten në kuotën e 16 pikëve. Në vendin e dytë renditet Egnatia, me tre pikë më pak, e cila ka mundësi të barazohet me Vllazninë nëse fiton ndaj Dinamo City, në ndeshjen që luhet sot në orën 17:00.

Ndërkohë, Bylisi me këtë humbje rrezikon të bjerë në zonën e ftohtë të klasifikimit. Aktualisht ndodhet në vendin e shtatë me 6 pikë, një më shumë se Tirana e vendit të tetë, dhe dy më shumë se Partizani, që mban vendin e nëntë, ndërsa Flamurtari mbyll renditjen me 2 pikë.

Kalendari i javës së shtatë

Bylis – Vllaznia 0-1

Egnatia – Dinamo City (ora 17:00)

Tirana – Teuta (ora 17:00)

Të dielën:

Elbasani – Vora (ora 17:00)

Flamurtari – Partizani (ora 17:00)

Klasifikimi: Vllaznia 16 pikë, Egnatia 13, Elbasani 11, Dinamo City dhe Teuta 10, Vora 7, Bylis 6, Tirana 5, Partizani 4, Flamurtari 2.

Vllaznia dhe Bylisi kanë një ndeshje më shumë.