FIBA, Kosova metoda bashkëkohore të trajnimit në basketboll

Në kuadër të programit evropian “FIBA Get Together U14”, këtë vit Kosova është nikoqire e një klinike të rëndësishme trajnuese për trajnerët e basketbollit për grupmoshat U14.

Aktiviteti, i organizuar në bashkëpunim mes Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe FIBA Europe, ka mbledhur trajnerë vendas e ndërkombëtarë me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe përmirësimit të metodologjisë së punës me gjeneratat e reja.

Përfaqësuesit e këtij eventi vlerësuan organizimin dhe nivelin e basketbollit në vend, duke theksuar rëndësinë e ushtrimeve bashkëkohore dhe të qasjes moderne në zhvillimin e lojtarëve të rinj.

Kryetar i Shoqatës së Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës, Dritëro Sefaja, tha për KosovaPress se kjo klinikë mundëson që të gjithë trajnerët t’i mësojnë mësojnë ushtrimet më bashkëkohore dhe me metodat më bashkëkohore se si t’i përgatisin fëmijët në mënyrë sa më të shkurtër,

“FIBA Get Together Under 14 është një klinikë që mbahet çdo vit nëpër Evropë, kemi pasur nderin këtë vit ta organizojmë në Kosovë duke iu falënderuar bashkëpunimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës me FIBA Europe. Është një event shumë i rëndësishëm në të cilin të gjithë trajnerët që punojnë me gjeneratën U14 kanë mundësinë t’i mësojnë ushtrimet më bashkëkohore dhe me metodat më bashkëkohore se si t’i përgatisin fëmijët në mënyrë sa më të shkurtër, sa më shpejtë t’i instalojnë ushtrimet e reja dhe t’i mësojnë të gjitha ato që kanë nevojë në atë moshë specifike. Kjo është një klinikë shumë e mirëseardhur për ne”, theksoi Sefaja.

Ndërsa Michael Schwarz, Udhëheqës i trajnerëve në Evropë theksoi se përmes këtij eventi,, shumë trajner të huaj po shohin se sa shumë e ka Kosova të zhvilluar sportin e basketbollin.

“Ne jemi shumë të lumtur që jemi këtu në Kosovë. E dimë që këtu janë shumë mirë të organizuar, po bëjnë një punë shumë të mira, mirëpritja dhe shërbimi këtu janë të mrekullueshme dhe ne jemi shumë të lumtur që kemi ardhur këtu dhe gjithashtu që t’iu tregojmë trajnerëve të huaj që Kosova ka një basketboll shumë të mirë…Mendoj që shumica këtu janë trajner të huaj që kanë ardhur, diçka që e bëjnë çdo vit dhe është më shumë që të njihen me basketbollin nën moshën 14 vjeçare dhe mendoj se ky është çelësi”, theksoi Schwarz.

Gjatë ditës, tema të rëndësishme u ligjëruan nga ekspertë të njohur të evropianë si Matthias Zollner dhe Nenad Truniq.

Drejtori i FIBA Europe: Përmirësimi i infrastrukturës ia hap Kosovës derën e EuroBasketit

Drejtori Ekzekutiv i FIBA Europe, Kamil Novak, në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, ai ka vlerësuar punën dhe strukturën e FBK-së, ndërsa ka theksuar se përmirësimi i infrastrukturës sportive në vend do të jetë një hap i madh drejt organizimit të ngjarjeve madhore.

“Ne u ftuam nga Federata e Kosovës për të mbajtur mbledhjen e Komisionit të Rinisë këtu, në kuadër të ngjarjes Under-14 Get-Together. Under-14 Get-Together është një ngjarje vjetore e organizuar nga FIBA Europa, ku mblidhen ekspertët nga të gjitha federatat që punojnë me zhvillimin e lojtarëve të rinj. Kjo është pikërisht një nga shtyllat kryesore të FIBA Evropës. Ne duam të mbështesim zhvillimin në bazë dhe zhvillimin në secilën federatë kombëtare. Këtu kemi ekspertët nga federatat tona kombëtare që po drejtojnë ngjarjen. Kjo nuk është një ngjarje për sekretarët e përgjithshëm të federatave, por për ekspertët që përballen çdo ditë me detyrën dhe sfidat e zhvillimit të lojtarëve. Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ata të shkëmbejnë përvojat e tyre”, tha Novak.

Drejtori i FIBA Europe ka vlerësuar punën që po bën Federata e Basketbollit të Kosovës, e cila është shndërruar në një partnere të besueshme për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare.

“Ne shohim rritjen, shohim se si po ecin përpara. Federata e Basketbollit të Kosovës u bë ajo që unë e quaj një mikpritës i rregullt i ngjarjeve tona: Youth Eurobasket, kampionatet e vendeve të vogla dhe të tjera, dhe ne e dimë që nuk mund ta organizojë kushdo. Nëse dëshiron të organizosh dhe e bën rregullisht, kjo do të thotë se kini një bazë, talent, njerëz, vullnetarë, strukturë. Struktura është jashtëzakonisht e rëndësishme. Për ne, të punosh me Federatën e Basketbollit të Kosovës është thjesht një kënaqësi”, tha Novak.

Novak foli edhe mbi rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës sportive, sidomos në prag të Lojërave Mesdhetare 2030.

“Ne e dimë që në vitin 2030 Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare. Kjo ishte pjesë e diskutimeve tona dhe kuptuam që disa objekte duhet të ndërtohen për këtë ngjarje. Kjo do të jetë trashëgimia që do të mbetet këtu, jo vetëm për basketbollin, por në fakt për të gjitha sportet në Kosovë. Kjo është pikërisht ajo që ndihmon zhvillimin e çdo sporti nëse organizon ngjarje. Prandaj e thashë që për Federatën e Kosovës, organizimi i të gjithë Euro-basketeve në vitet e mëparshme ka qenë i rëndësishëm dhe padyshim që kjo do të ndihmojë gjithashtu vendin për të organizuar Lojërat Mesdhetare, sepse vetëm tani keni këtu në vend jo pesë, jo dhjetë, por mijëra ekspertë që kanë drejtuar gara të tilla si Eurobasket i BE-së. Jam shumë optimist dhe, natyrisht, mezi presim të shohim se si do të vazhdojë ndërtimi i objekteve”, tha Novak.

Novak thotë se Kosova mund të synojë të organizojë ngjarje të mëdha basketbolli në të ardhmen, duke u bazuar në potencialin e tanishëm.

“Organizimi i Lojërave Mesdhetare, natyrisht, do të ketë disa objekte të përmirësuara dhe të reja. Dhe ndoshta e dini që një nga vendet mikpritëse të EuroBasket 2025, që është ngjarja më e madhe e organizatës sonë, ishte Qiproja. Qiproja padyshim nuk është më e madhe se Kosova dhe ata bënë mirë. Nuk e besonin të gjithë që mund ta realizonin, por ata e realizuan. Pra, pse, thjesht po hedh një pyetje në ajër, Federata Kombëtare e Basketbollit e Kosovës nuk mund të mendojë të bëhet pjesë, ndoshta të organizojë fazën e grupeve të EuroBasket 2033 ose gradualisht të organizojë fazën e grupeve të EuroBasketit të femrave, që padyshim ata mund ta përballojnë. Pra, mund të shoh që ka një të ardhme për Federatën e Basketbollit të Kosovës për të organizuar ngjarje kryesore evropiane, edhe në kategorinë e seniorëve”, tha Novak.

Novak qëndroi për dy ditë në Kosovë ku ishte i pranishëm në hapjen e FIBA Europe U14 Get – Together, ngjarje kjo që ka mbledhur në Kosovë rreth 60 trajnerë të basketbollit nga gjithë Evropa.

/KosovaPress/