“MUR” KUNDËR DRONËVE RUSË! NATO e BE bashkojnë forcat për mbrojtjen ajrore të Evropës
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi në Bruksel se Aleanca dhe Bashkimi Evropian po punojnë së bashku për ngritjen e një “muri kundër dronëve”. Nisma synon mbrojtjen e hapësirës ajrore evropiane nga inkursionet e dronëve, pas shkeljeve të përsëritura nga Rusia në kufijtë lindorë të NATO-s.
NATO dhe Bashkimi Evropian po bashkojnë forcat për të mbrojtur Evropën nga një kërcënim gjithnjë e më i pranishëm i dronëve.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, njoftoi se po punohet për ndërtimin e një ‘muri kundër dronëve’, që do të shërbejë si mburojë teknologjike për hapësirën ajrore evropiane.
Ky zhvillim vjen pas një serie shkeljesh ajrore nga Rusia dhe pas paralajmërimeve për rritje të tensioneve në kufijtë lindorë të NATO-s.
Në një kohë tensionesh të shtuara në kufijtë lindorë, NATO dhe Bashkimi Evropian po ndërmarrin hapa për të krijuar një mburojë të përbashkët kundër dronëve. Shefi i Aleancës, Mark Rutte, tha se kjo është një përgjigje ndaj kërcënimeve që po përballen vendet anëtare.
“Ne po punojmë me Bashkimin Evropian për të ndërtuar një mur kundër dronëve që do të mbrojë Evropën nga çdo ndërhyrje ajrore.”, u shpreh ai, duek sqaruar se: “NATO do të sigurojë kapacitetet ushtarake, ndërsa Bashkimi Evropian do të përdorë fuqinë e tij ekonomike për të financuar projektin”.
Nisma vjen pas disa shkeljeve të hapësirës ajrore në Poloni dhe Estoni, të cilat u interpretuan si provokime nga Moska. Në disa vende, autoritetet u detyruan të mbyllin përkohësisht aeroportet pas detektimit të dronëve të paidentifikuar.
Në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s po diskutohet gjithashtu forcimi i mbështetjes për Ukrainën dhe mbrojtja e krahut lindor të Aleancës.
Bashkimi Evropian pritet të paraqesë javën e ardhshme një plan udhëzues për ndërtimin e “murit të dronëve”, si pjesë e strategjisë së re të mbrojtjes ndaj kërcënimeve ruse.
Edhe pse projekti ka hasur në skepticizëm nga disa shtete anëtare, si Gjermania, NATO dhe BE duket se janë të vendosura të ndërtojnë një mbrojtje të përbashkët që do të garantojë sigurinë e Evropës përballë sfidave të reja teknologjike.

