PRESIDENTI NUK PREKET/ Balla i kthen “reston” Bardhit: Nuk do të ketë shkarkim të Begajt

Pak minuta pasi Gazment Bardhi kërkoi në emër të grupit parlamentar të PD-së shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj, përgjigjja nga mazhoranca do të vinte nga homologu i tij socialist Taulant Balla.

Në një prononcim për mediet nga selia e Kuvendit, Balla iu përgjigj deklaratave të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili kërkoi nga Kuvendi fillimin e procedurave parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

“Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet. Ka ngelur ndonjë institucion që nuk ka kërkesë për shkarkim nga ana e PD-së?”, tha Balla.

Balla theksoi se Presidenti i Republikës nuk do të shkarkohet, ndërsa u shpreh se në vlerësimin e tij Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje.

“Shkeljen e Kushtetutës e vërteton Gjykata Kushtetuese, jo ky personi. Mua nuk më ka ardhur kërkesë për komision hetimor, më ka ardhur për shkarkim”, theksoi Balla duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kërkoi sot përfaqësimin e të gjitha partive parlamentare në komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Balla shprehu angazhimin për përmbylljen me konsensus të reformës zgjedhore.

“Është e domosdoshme që edhe partitë parlamentare që nuk kanë grup parlamentar të jenë të përfaqësuara në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Propozimi ynë është që të jemi të barabartë në numër dhe në të drejtën e vetos, që është garancia më e madhe që dy partitë e mëdha kanë”, u shpreh Balla.

Balla theksoi se PS dëshiron dhe vazhdon të këmbëngulë për pjesëmarrjen e të gjtiha partive parlamentare, ndaj dhe e kemi lënë pezull vetëm këtë pikë të vendimit që ta miratojmë të gjithë së bashku dhe partitë e tjera parlamentare të jenë aty.

“Vazhdojmë të jemi të angazhuar për të dhënë një zgjidhje për këtë çështje. Nuk ka asnjë vendim substancial në këtë komision nëse përfaqësuesi i PD-së apo i PS-së ushtron veton”, shtoi ai.