PS: Sapo OSBE/ODIHR të flasë për zgjedhjet, të nisë menjëherë punën komisioni i reformës zgjedhore

Mazhoranca kërkon ngritjen dhe nisjen e punës për realizimin e reformës zgjedhore, diskutime të cilat sipas Partisë Socialiste duhet të nisin menjëherë pasi misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve, OSBE-ODIHR-i të publikojë raportin mbi zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Miratohet ngritja e Komisionit të Reformës Zgjedhore, me parashikimin që puna të nisë në ditën kur publikohet raporti i OSBE-ODIHR-it. Gjithashtu, do të rishikohet pika 3, në mënyrë që përfaqësimi në komision të bëhet mbi bazën e grupeve parlamentare dhe jo mbi bazën e partive parlamentare”, raporton gazetari Isa Myzyraj.

Propozimi i PS:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

PROJEKTVENDIM

PËR NGRITJEN E KOMISIONIT TË POSAÇËM PARLAMENTAR

PËR REALIZIMIN E REFORMËS ZGJEDHORE

Në mbështetje të neneve 77, pika 1, dhe 78, pika 1, të Kushtetutës dhe të neneve 24 dhe 55, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e një grupi deputetësh,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

1.     Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore.

2.     Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, në veçanti trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, zgjedhjet e mëparshme të patrajtuara dhe të raportit të pritshëm për zgjedhjet e 11 majit 2025; trajtimin e rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse, si dhe hartimin e ligjit për financimin e partive politike.

III. Komisioni i Posaçëm ngrihet mbi bazën e barazisë pozitë-opozitë. Në përbërje të tij do të ketë 16.anëtarë, nga të cilët 8 janë përfaqësues të  Partisë Socialiste, 8 përfaqësues nga Partitë e tjera parlamentare. Emrat e anëtarëve të Komisionit përcaktohen me vendim të Kuvendit.

1.     Komisioni drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike.

2.     Pranë Komisionit ngrihet grupi i ekspertëve teknikë. Përbërja dhe mënyra e funksionimit të tij përcaktohen me vendim të Komisionit të Posaçëm Parlamentar.

3.     Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ekspertë të OSBE/ODIHR-it, Këshilli i Europës, ekspertë të Komisionit të Venecias, si dhe përfaqësues dhe/ose ekspertë të BE-së dhe SHBA-ve ftohen të ndjekin, të japin asistencë dhe ekspertizë teknike në punimet e Komisionit dhe të grupit të ekspertëve teknikë të ngritur pranë tij.

VII. Çdo parti që përfaqësohet në komision ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Palët duhet të angazhohen të gjejnë konsensusin në lidhje me to. Për çështje të veçanta për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus do të vlerësohet dhe kërkohet asistenca e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

VIII. Mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të Komisionit. Vendimmarrja e Komisionit do të synojë konsensusin e gjerë për të gjitha propozimet. Vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, por vetëm kur kanë njëkohësisht konsensusin e të dy bashkëkryetarëve.

1.     Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij për një afat 9-mujor nga miratimi i këtij vendimi. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të dy bashkëkryetarëve, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit me një vendim të veçantë të Kuvendit.

2.     Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për krijimin e kushteve të punës, si dhe për mbështetjen me burime njerëzore, financiare dhe logjistike të veprimtarisë së Komisionit dhe të grupit të ekspertëve të ngritur pranë tij.

3.     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E T A R I

Niko PELESHI