Shefi humanitar i OKB-së u bën thirrje Hamasit dhe Izraelit të zbatojnë armëpushimin 'plotësisht'
Shefi i çështjeve humanitare i OKB-së, Tom Fletcher, ka paralajmëruar qeverinë izraelite që të mos bllokojë kalimet kufitare me Rripin e Gazës, duke theksuar se ndihma humanitare është "jashtëzakonisht e nevojshme" për popullsinë e rrezikuar.
Deklarata e zyrtarit të lartë të OKB-së vjen pas raportimeve se Izraeli nuk do ta hapë pikën kufitare të Rafahut mes Gazës dhe Egjiptit të mërkurën, ndërsa do të kufizojë edhe më tej dërgesat me ndihma.
Kjo masë shihet si përgjigje ndaj veprimit të Hamasit, i cili dorëzoi vetëm katër nga 28 trupat e pengjeve të vrarë.
“Nuk mund ta lejojmë që kjo marrëveshje të prishet,” – deklaroi Fletcher për BBC-në.
Ai nënvizoi se marrëveshja duhet të respektohet në mënyrë të barabartë nga të dyja palët:
“Hamasi duhet t’i kthejë trupat në shtëpi, siç premtoi, por njëkohësisht Izraeli duhet t’i mbajë kalimet të hapura dhe të na lejojë të ofrojmë ndihmën që nevojitet kaq urgjentisht, në shkallë të gjerë.”
Apeli i OKB-së vjen në një moment tejet kritik për situatën humanitare në Gaza, ku qindra mijëra civilë përballen me mungesë të ushqimit, ilaçeve dhe ndihmës emergjente.
