“ZONJA E VJETËR” DO SKRINIAR! Juventus kërkon mbrojtës për të zëvendësuar Gleison Bremer

Juventusi është në kërkim të një mbrojtësi me peshë, pasi Gleison Bremer nuk mund ta ndihmojë ekipin në pjesën tjetër te sezonit për shkak të demtimit. Sipas medieve italiane, Milan Skriniar, ish mborjtësi I Interit dhe PSG-së është në preferancat e trajnerit Igor Tudor.

Dëmtimi i rëndë i Gleison Bremer ka alarmuar Juventusin, që tashmë është vënë në kërkim të një mbrojtësi të ri për pjesën e dytë të sezonit. Braziliani pritet të mungojë për disa muaj pas operacionit në menisk, ndaj drejtuesit po vlerësojnë disa alternativa për ta zëvendësuar.

Në krye të listës ndodhet Milan Skriniar, ish-lojtari i Interit dhe PSG-së, që aktualisht aktivizohet me Fenerbahçen në Turqi. Sipas La Gazzetta dello Sport, sllovaku mund të shqyrtojë largimin, sidomos pas ndarjes së klubit nga trajneri José Mourinho, por ende nuk ka një sinjal zyrtar nga agjentët e tij.

Një tjetër pistë është ajo e Kim Min-jae nga Bayern Munich, por statusi i tij si lojtar jashtë Bashkimit Europian mbetet një pengesë e rëndësishme për transferimin.

Në listën e objektivave është edhe Nahuel Molina i Atlético Madrid, i pëlqyer veçanërisht nga trajneri Igor Tudor, që kërkon përforcime në krahun e djathtë të mbrojtjes. Bisedimet mes klubeve kanë nisur që në verë dhe mund të rifillojnë në janar.

Juventusi pritet të jetë një nga klubet më aktivë në merkaton e dimrit, me synimin për të plotësuar boshllëqet në prapavijë dhe për të mbajtur ritmin në garën për titullin kampion në Serie A.