"Momente emocionuese në Gaza"/ Babai i njërit prej pengjeve: Djali im i'u dorëzua Kryqit të Kuq, po vjen në shtëpi
Ka nisur shkëmbimi i pengjeve në Gaza, pengjet e para i dorëzohen Kryqit të Kuq
Procesi i ndjeshëm i shkëmbimit të pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë ka nisur sot në Rripin e Gazës, nën mbikëqyrjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK).
Një zyrtar i përfshirë në operacion konfirmoi për agjencinë Reuters se Hamasi ka transferuar pengjet e para tek përfaqësuesit e Kryqit të Kuq, në një pikë grumbullimi në veri të Gazës.
Sipas burimeve, shtatë pengje izraelite janë dorëzuar deri tani, ndërsa pritet që ata të transportohen brenda pak minutash në territorin izraelit, ku do t’i dorëzohen Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF).
Mediat izraelite raportojnë se Kryqi i Kuq ka mbërritur në pikën e parë të grumbullimit, ndërsa organizata ka bërë të ditur se nuk do të publikojë pamje të pengjeve apo të liruarve, “nga respekti për dinjitetin e tyre dhe për arsye sigurie”.
Babai i njërit prej pengjeve, Guy Gilboa-Dalal, i tha gazetës izraelite Haaretz se djali i tij “iu dorëzua Kryqit të Kuq dhe pritet t’i dorëzohet IDF-së brenda 15 minutash”.
“Kjo është një ëndërr e bërë realitet. Jemi shumë të emocionuar dhe mezi presim ta përqafojmë,”— u shpreh Ilan Dalal.
Në pamje të shpërndara nga mediat ndërkombëtare shihet nëna e pengut izraelit Nimrod Cohen, teksa udhëton drejt pikës së takimit për t’u ribashkuar me të birin pas më shumë se dy vitesh ndarje.
Operacioni i sotëm është pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar më herët nga presidenti Trump, që parashikon lirimin gradual të pengjeve dhe të ndaluarve nën mbikëqyrjen e organizatave ndërkombëtare.
Burimi: BBC/ Pershtati: Syri.Net

