TË RINJTË PROMOVOJNË HUMANIZMIN/ Tirana fiton Konkursin XI Kombëtar “Rinia dhe Kryqi i Kuq”

Humanizmi, solidariteti u bënë bashkë në finalen e Konkursit Kombëtar 'Rinia dhe Kryqi i Kuq'. Mes emocioneve, garës dhe vlerave njerëzore, të rinjtë nga disa qytete të vendit treguan se janë gati të jenë shembull i një brezi që ndihmon, bashkëpunon dhe frymëzon. Në fund, ishte Tirana ajo që u shpall fituese, por vlerat e këtij konkursi i bënë të gjithë pjesëmarrësit fitues.

Humanizmi, solidariteti dhe vullnetarizmi janë vlera që nuk njohin moshë, por që marrin kuptim të veçantë kur përqafohen nga të rinjtë.

Këto vlera u vendosën në qendër të Konkursit të XI Kombëtar “Rinia dhe Kryqi i Kuq”, i zhvilluar së fundmi nga Kryqi i Kuq Shqiptar, me pjesëmarrjen e dhjetëra të rinjve nga e gjithë Shqipëria.

Ky aktivitet kishte për qëllim të edukojë dhe frymëzojë brezin e ri përmes njohjes me parimet themelore të Kryqit të Kuq dhe përfshirjes së tyre aktive në çështje jetike për komunitetin, si ndihma e parë, kujdesi shëndetësor, shëndeti mendor, mbrojtja mjedisore dhe përgatitja për emergjenca.

Në finalen e konkursit, që u zhvillua mes një atmosfere të gjallë dhe bashkëpunuese, morën skuadra nga degë të ndryshme të Kryqit të Kuq. Tre prej tyre – Tirana, Elbasani dhe Korça – spikatën për përgatitjen, komunikimin dhe shpirtin e bashkëpunimit.

Çmimet për fituesit u dorëzuan nga Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ylli Alushi, i cili në fjalën e tij vlerësoi kontributin e të rinjve dhe theksoi rëndësinë që kanë sot më shumë se kurrë vlerat e humanizmit në jetën tonë të përditshme.

Skuadra fituese e këtij edicioni ishte Tirana me 129 pikë,  ndjekur nga Elbasani me 120 pikë, dhe Korça me 102 pikë.

Të rinjtë që morën pjesë ndanë përvoja të vlefshme, mësuan nga njëri-tjetri dhe krijuan miqësi që tejkalojnë kufijtë e një konkursi  duke treguar se kur të rinjtë bashkohen për një kauzë të mirë, rezultatet janë gjithmonë frymëzuese.

Ky aktivitet përforcoi edhe një herë mesazhin se humanizmi nuk është thjesht një koncept – por një vlerë që mund të jetohet çdo ditë.