Pekini kërkon negociata me Trump!Kina mbron kufizimet tregtare. Ekspertët: Po kërkon dialog me Uashingtonin
Tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë ringjallur pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa të reja 100 % mbi produktet kineze. Pekini reagoi duke fajësuar Uashingtonin për përshkallëzimin e situatës, por zgjodhi të mos kundërpërgjigjet me masa të menjëhershme. Analistët thonë se kjo qasje tregon se Pekini po kërkon dialog, jo përshkallëzim.
Pekini ka reaguar ashpër ndaj tarifave të reja të vendosura nga administrata e Presidentit amerikan Donald Trump, duke e fajësuar Uashingtonin për rritjen e tensioneve tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë, të dielen zgjodhi të flas për dialog dhe jo të për kundërmasa ndaj Uashingtonit.
Gjithsesi në një deklaratë zyrtare, Ministria e Tregtisë së Kinës mbrojti kufizimet mbi eksportin e metaleve të rralla, duke i cilësuar si masa të nevojshme për arsye sigurie kombëtare.
Në këtë pikë ekspertët paralajmërojnë se përshkallëzimi i ri i konfliktit tregtar mund të pengojë samitin e planifikuar këtë muaj midis Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping.
Sipas tyre, vendimi i Kinës për të mos reaguar menjëherë me tarifa të reja mund të jetë një shenjë se Pekini po lë hapësirë për negociata.
Të dy vendet thonë se nuk e duan një luftë tregtare, por asnjëri nuk duket i gatshëm të tërhiqet.
Sipas Pekinit, Shtetet e Bashkuara kanë minuar atmosferën e bisedimeve dypalëshe duke zgjeruar listën e zezë tregtare dhe duke vendosur tarifa portuale ndaj kompanive kineze.
Presidenti Trump reagoi të premten duke njoftuar tarifa shtesë prej 100 për qind mbi eksportet kineze dhe kufizime të reja për softuerët strategjikë që hyjnë në SHBA.
Tregjet botërore u tronditën menjëherë, me rënie të ndjeshme të aksioneve të teknologjisë dhe shqetësime për ndikimin në zinxhirët globalë të furnizimit.
Kina prodhon mbi 90 për qind të metaleve të rralla të përpunuara në botë, elemente thelbësore për prodhimin e automjeteve elektrike, avionëve dhe pajisjeve të mbrojtjes.
Eksportet e 12 prej këtyre metaleve janë tashmë të kufizuara, përfshirë holmiumin, erbiumin dhe europiumin.
Tensionet e reja kanë rindezur frikën e një përplasjeje të ashpër ekonomike që mund të tronditë tregtinë dhe stabilitetin global.

