Administrata Trump pushon nga puna mijëra punonjës federalë
Më shumë se 4,000 punonjës federalë morën njoftime për pushim nga puna të premten, si pjesë e përpjekjes së gjerë të administratës Trump për të riformuar qeverinë, ndërsa ajo vazhdon të jetë e mbyllur, sipas një dokumenti të paraqitur në gjykatë të premten.
Ky dokument ofron më shumë informacion lidhur me një njoftim që shefi i buxhetit i presidentit Donald Trump bëri më herët gjatë ditës, ku tha se administrata kishte nisur shkurtimet në shkallë të gjerë, që ishin parashikuar, që kur financimi federal kishte përfunduar më 1 tetor.
“Shkurtimet kanë filluar”, shkroi drejtori i Zyrës për Menaxhimin dhe Buxhetin (OMB), Russell Vought, në platformën X, pa dhënë detaje se sa punonjës kishin marrë njoftimet për pushim nga puna, të quajtura Reduction in Force (RIF).
Të premten në mbrëmje, njoftime për RIF ishin dërguar në disa departamente: Tregtia, Arsimi, Energjetika, Shëndetësia dhe Shërbimet Njerëzore, Strehimi dhe Zhvillimi Urban, Siguria Kombëtare dhe Thesari, sipas zëdhënësve të këtyre departamenteve, përfaqësuesve të sindikatave dhe burimeve të prekura drejtpërdrejt.
Departamenti i Thesarit dhe ai i Shëndetësisë kishin numrin më të madh të shkurtimeve, me më shumë se 1,000 punonjës të larguar në secilin prej tyre, sipas dokumentit, në një padi të ngritur nga dy sindikata punonjësish federalë, që kërkojnë të ndalin këto pushime.
Po ashtu, Zyra e Patentave dhe Markave Tregtare të SHBA-ve, që është pjesë e Departamentit të Tregtisë, dërgoi javën e kaluar njoftime për RIF, për shkak të mungesës së financimit, sipas dokumentit.
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) dërgoi “njoftime për qëllim pushimi” për 20 deri në 30 punonjës, por nuk ka marrë ende vendim përfundimtar, nëse do t’i pushojë ata apo jo.
“Agjenci të tjera po “e shqyrtojnë seriozisht” nëse do të ndërmarrin shkurtime të tjera të lidhura me mbylljen e qeverisë”, thuhet në dokument.
Trump tha të premten pasdite se planifikon të pushojë “shumë” punonjës federalë si hakmarrje për mbylljen e qeverisë, duke premtuar të “synojë”, ata që konsiderohen të lidhur me Partinë Demokrate.
“Mendojmë se ata e nisën këtë situatë, prandaj të pushuarit nga puna, duhet të jenë të lidhur me demokratët”, tha Trump, duke fajësuar ligjvënësit demokratë për mbylljen.
Donald Trump nuk dha sqarime se si përcaktohen punonjësit, si “të lidhur me demokratët”.
Republikanët në Kongres dhe Shtëpia e Bardhë, në ditët e fundit, kanë shtuar kërcënimet për pushime masive nga puna, duke kërkuar të rrisin presionin mbi demokratët, që të japin votat e nevojshme për të zgjidhur ngërçin në Senat dhe për të rihapur qeverinë.
Por, më shumë se një javë pas fillimit të mbylljes, të dyja palët në Kongres kanë mbetur të palëkundura në qëndrimet e tyre për arritjen e një marrëveshjeje financimi, qoftë edhe afatshkurtër.
Më herët të premten, një zëdhënës i OMB-së tha se pushimet nga puna do të jenë “të konsiderueshme”. “Na vjen keq që demokratët e kanë mbyllur qeverinë dhe i kanë futur punonjësit në këtë situatë”.
Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë ka fajësuar vazhdimisht demokratët për mos-hapjen e qeverisë, është vetë administrata që ka vendosur të bëjë pushime nga puna gjatë kësaj periudhe, një veprim që nuk është i detyrueshëm, kur mungon financimi. Pushimet janë të ndryshme nga pezullimet nga puna (furloughs) që ndodhin zakonisht gjatë mbylljes së qeverisë.
Demokratët në Kongres e dënuan menjëherë këtë veprim.
“Edhe një herë, nëse Presidenti Trump dhe Russ Vought vendosin të bëjnë pushime masive nga puna, të tjera, ata po ZGJEDHIN të shkaktojnë më shumë dhimbje për njerëzit. ‘Reduction in Force’ nuk është ndonjë fuqi e re, që këta persona fitojnë gjatë mbylljes së qeverisë”, shkroi në X senatorja Patty Murray, demokratja më e lartë në Komitetin e Buxhetit në Senat. “Nuk mund të trembemi nga këta hajdutë”.
Edhe lideri demokrat në Senat, Chuck Schumer, tha se “askush nuk po e detyron Trumpin dhe Vought të veprojnë kështu. Disa agjenci i thanë CNN-it se kishin filluar zbatimin e pushimeve nga puna.
“Në HHS (Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore), punonjës në disa agjenci kanë marrë njoftime për pushim nga puna, për shkak të mbylljes së qeverisë që e udhëheqin Demokratët”, tha një zëdhënës i agjencisë për CNN.
“Të gjithë punonjësit e HHS që kanë marrë njoftime për pushim nga puna, janë shpallur jo-thelbësorë nga divizionet e tyre. HHS po vazhdon mbylljen e njësive të panevojshme dhe të dyfishta, përfshirë ato që nuk përputhen me agjendën e administratës Trump për një Amerikë më të shëndetshme”.
Fillimisht, administrata Trump kishte premtuar se do të niste menjëherë pushimet masive nga puna, sapo të fillonte mbyllja e qeverisë, por siç raportoi CNN, Shtëpia e Bardhë duket se ndryshoi strategji për një kohë të shkurtër, ndërkohë që gjithnjë e më shumë ligjvënës republikanë dhe zyrtarë të administratës kuptuan se kjo mund të kishte pasoja politike.
Njoftimi i së premtes erdhi në ditën e 10-të të mbylljes. Disa punonjës të pezulluar (furloughed) janë ankuar se nuk e dinë si të mësojnë nëse janë pushuar nga puna përfundimisht, pasi kanë akses të kufizuar në e-mailin e punës, gjatë mbylljes së qeverisë.
Zyrtarët e administratës thanë se punonjësit e prekur nga pushimet do të njoftohen gjithashtu edhe me postë nga Shërbimi Postar i SHBA-ve, i cili vazhdon të funksionojë gjatë mbylljes së qeverisë.
Shtëpia e Bardhë tha se punonjësit e pezulluar mund të përdorin pajisjet e dhëna nga qeveria për të kontrolluar për çdo përditësim lidhur me Reduction in Force (RIF). Njoftimet për RIF zakonisht përcaktojnë se pushimi nga puna hyn në fuqi brenda 30 apo 60 ditëve.
