Një ndeshje për kujtesën: Tifozët me demencë zbresin në fushë përkrah heronjëve të Uellsit
Tifozët e Uellsit, që jetojnë me demencë dolën në fushë së bashku me lojtarët, kur skuadra u përball me Anglinë në një ndeshje miqësore në “Wembley” të enjten.
Njëzet e dy mbështetës ecën krah për krah me lojtarët në vend të fëmijëve, si pjesë e një iniciative që përfshinte “Shoqatën e Alzheimerit”.
Një nga mbështetësit, tifoz i përjetshëm i Uellsit dhe “Cardiff City”, Chris Griffiths, i cili ende merr pjesë në ndeshje pavarësisht diagnozës së tij, tha se futbolli kishte luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e tij që nga diagnostikimi i tij.
Chris e përshkroi diagnozën e tij si një "gjë të çuditshme" që në fillim, por e përshkroi mbështetjen që ka marrë si "të pabesueshme".
"Njerëzit përreth meje kanë qenë të shkëlqyer, madje edhe fëmijët. Kur takova më shumë njerëz, u përmirësova. Tani ndiej se mund të shkoj në vende të caktuara, gjë që është mirë", tha ai.
Kjo përfshin pjesëmarrjen në ndeshjet e Uellsit dhe “Cardiff City” me djalin dhe vëllain e tij, si dhe përfshirjen aktive në Klubin 1927 të “Fondacionit Cardiff City”, i cili mbështet njerëzit që jetojnë me këtë sëmundje.
Përveç maskotave që iu bashkuan të dyja skuadrave për himnet kombëtare, pas pjesës së parë lojtarët e Uellsit u kthyen në fushë pa emrat e tyre në pjesën e pasme të fanellave, një akt simbolik që theksonte humbjen e kujtesës, një nga simptomat më të zakonshme të demencës.
"Duke dalë me tifozët që jetojnë me demencë, ne dërgojmë një mesazh të qartë se askush nuk duhet të përballet me demencën i vetëm", tha Noel Mooney, drejtor ekzekutiv i “Shoqatës së Futbollit të Uellsit”.

