Dy shpërthime tronditin Kabulin, qeveria talebane: Nuk ka viktima
Dy shpërthime të fuqishme tronditën mbrëmjen e së enjtes qendrën e Kabulit, raportuan gazetarët e Agence France-Presse.
Sipas burimeve lokale, shpërthimi i parë ndodhi rreth orës 21:50 sipas orës lokale (19:20 CET) dhe u dëgjua në të gjithë kryeqytetin afgan, ndërsa disa sekonda më pas u pasua nga një shpërthim i dytë.
Zëdhënësi i qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid, deklaroi në Platformën X se “incidenti po hetohet, por deri më tani nuk janë raportuar viktima dhe gjithçka është në rregull”, duke shtuar se detaje të tjera do të publikohen më vonë.
Ndërkohë, përmes rrjeteve sociale, qytetarë nga zona të ndryshme të Kabulit thanë se kishin dëgjuar shpërthime dhe kishin parë “dronë” në qiell.
Një gazetar i France Press raportoi gjithashtu se forcat e sigurisë janë vendosur në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe po kryejnë kontrolle të automjeteve.
Rrjeti telefonik është ndërprerë pjesërisht në disa lagje, ndërsa autoritetet po përpiqen të rikthejnë komunikimin.
Ngjarja vjen në një moment kur ministri i jashtëm i Afganistanit ndodhet në Indi për një vizitë zyrtare dy-ditore, pjesë e përpjekjeve të qeverisë talebane për të fituar njohje ndërkombëtare.
Aktualisht, vetëm Rusia i njeh zyrtarisht autoritetet talebane në Kabul.
