Evropianët dhe arabët diskutojnë modalitetet e pasluftës në Gaza
Takimi për Gazën, i cili do të mbledhë sot krerët e diplomacisë evropiane dhe arabe, synon të saktësojë kushtet e një angazhimi kolektiv për të vënë në funksion një shtet palestinez, u shprehën disa burime diplomatike franceze.
“Gjithashtu do të diskutohet forca ndërkombëtare e stabilizimit, qeverisja kalimtare e Gazës, ndihma humanitare dhe rindërtimi, çarmatimi i Hamasit dhe mbështetja për Autoritetin Palestinez dhe forcat palestineze të sigurisë”, shtuan ato.
Ndërsa negociatat janë duke u zhvilluar në Egjipt për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës, të shkatërruar nga dy vite luftë midis grupit islamik palestinez Hamas dhe Izraelit, ministrat duan të shprehin gjithashtu mbështetjen e tyre për planin e propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
“Në këto orë dhe ditë diplomacie, është thelbësore të veprojmë së bashku dhe të fillojmë punën”, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i cili do të jetë i pranishëm në takimin e sotëm në Paris.
“Shumë shtete janë të gatshme të angazhohen për të siguruar që plani amerikan i paqes të ketë sukses dhe që shpresa për paqe të bëhet shpejt realitet. Që kjo të ndodhë, Gaza nuk duhet të përfaqësojë më një kërcënim për Izraelin. Dhe që kjo të ndodhë, banorët e Rripit të Gazës kanë nevojë, përveç ndihmës urgjente humanitare, për perspektiva politike dhe ekonomike”, shtoi ai.
”Takimi është një vazhdim i iniciativës franko-saudite në favor të zgjidhjes me dy shtete, e cila kulmoi me Deklaratën e Nju Jorkut verën e kaluar dhe lehtësoi miratimin e planit amerikan”, shpjeguan burimet diplomatike franceze.
Përveç Francës, Arabisë Saudite dhe Gjermanisë, Spanja, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar pritet të marrin pjesë nga pala evropiane. Egjipti, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania, nga pala arabe, si dhe Indonezia, Kanadaja dhe Turqia, të cilat dëshirojnë të marrin pjesë aktive në krijimin e një misioni stabilizimi në Gaza pas armëpushimit.
“Vendi ynë është gati të marrë pjesë në procesin politik të pasluftës për rindërtimin dhe ribashkimin e Palestinës”, tha një burim diplomatik italian duke besuar se plani i Trumpit ishte “i vetmi i mundshëm”.
I njoftuar më 29 shtator, plani i presidentit amerikan parashikon një armëpushim, lirimin brenda 72 orëve të pengjeve të mbajtura në Gaza, tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite dhe çarmatimin e Hamasit.
“Qeveria italiane është gjithashtu e gatshme të shqyrtojë, duke përfshirë si kontribut në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) të parashikuar në planin e presidentit Trump, vendosjen e mundshme të karabinierëve për të trajnuar forcat e reja policore në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, ku karabinierët janë tashmë të pranishëm dhe puna e të cilëve vlerësohet shumë”, shtoi burimi.
Së fundmi, Italia është e gatshme të kontribuojë në mënyrë aktive në infrastrukturën mjekësore dhe shëndetësore në Rripin e Gazës.
Takimi është planifikuar për sot pasdite në orën 17:00 në Paris.

