“Fundi i luftës në Gaza është vetëm një iluzion”/ Shkrimtari izraelit: 80 % e izraelitëve nuk e duan këtë luftë

“Fundi i luftës në Gaza është vetëm një iluzion”, kështu ka deklaruar shkrimtari izraelit në një intervistë për “La Repubblica”-n. Ai thotë se një armëpushim i thjeshtë nuk mjafton, paqja thotë ai, kërkon shumë më tepër se heshtjen e armëve

Në një intervistë për “La Repubblica”, shkrimtari i njohur izraelit Etgar Keret flet hapur për luftën në Gaza dhe për realitetin e hidhur që po përjeton vendi i tij. Për Keretin, një armëpushim i thjeshtë nuk mjafton, paqja thotë ai, kërkon shumë më tepër se heshtjen e armëve.

Sipas shkrimtarit, zgjidhja e vetme e qëndrueshme duhet të kalojë në një rrugë që çon drejt krijimit të një shteti palestinez, një ide që ka hasur gjithmonë rezistencë dhe që, siç thekson Keret, kryeministri Netanyahu nuk e mbështet.

Ai beson se, edhe nëse lufta do të përfundonte sot, shoqëria izraelite nuk do të gjente menjëherë paqen.

“Të paktën 80 për qind e izraelitëve nuk e duan këtë luftë”, shprehet ai, “por e ardhmja do të mbetej e pasigurt.”

Keret përshkruan plagët që ka lënë konflikti: trauma, ndarje familjare, stres post-traumatik, ndjenja faji dhe braktisjeje. Të gjitha këto do të zgjasin shumë pas çdo armëpushimi të mundshëm.

Në intervistën e tij, shkrimtari izraeit  vëren se qeveria izraelite dhe vetë Netanyahu nuk pranojnë të ndryshojnë “rregullat e lojës”. Sipas tij, ky qëndrim e mban shoqërinë peng të një konflikti të pafund.

“Kur nuk ka një kapitull të mbyllur,” thotë shkrimtari, nuk mund të ecësh përpara drejt paqes.

Ndërsa më herët shkrimtari bën thirrje që lufta në Gaza të ndalet menjëherë për t’i dhënë fund vdekjes, urisë dhe për të sjellë në shtëpi të kapurit. Ai paralajmëron se, nëse gjithçka mbetet në duart e Netanyahut dhe Hamasit, lufta mund të zgjasë pafundësisht.

Etgar Keret nuk sheh një “fund normal” në horizont.