Osmani pas samitit të Bërdo-Brijunit: Jemi pro bashkëpunimit rajonal, por do të mbrojmë interesin tonë shtetëror

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha sot pas përfundimit të samitit të procesit të Bërdo-Brijunit në Golem, se presidenti serb Aleksandër Vuçiç iu drejtua samitit në të cilin morën pjesë edhe presidentët e rajonit me ofendime dhe arrogancë, duke tentuar që të prishë takimin, mirëpo në fund arritën që të miratojnë deklaratën e përbashkët me unanimitet.

Sipas Osmanit, presidenti serb u ankua edhe për aleancën që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, kanë nënshkruar në fushën e mbrojtjes gjatë këtij viti, por që mori rikonfirmimin që ky bashkëpunim ka për qëllim vetëm mbrojtjen e tri vendeve.

Krahas kësaj, Osmani nënvizoi se Kosova është për bashkëpunim rajonal, por të njëjtën kohë dëshiron të mbrojë interesin shtetëror të saj, sovranitetin dhe integritetin territorial.

“Si Kosovë jemi pro bashkëpunimit rajonal, por të njëjtën kohë do të mbrojmë interesin tonë shtetëror, do të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial. Edhe pse Vuçiç kishte ankesa për paktin tonë dhe marrëveshjen e përbashkët Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci në fushën e mbrojtjes. Ai mori rikonfirmimin tonë të përbashkët se kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë. Përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës tonë si komb, ne askund nuk kemi sulmuar dhe pushtuar askënd, por gjithnjë kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë vetveten. Aleancat tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Në rastin tonë konkret, rreziku vjen nga Serbia”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, presidentja Osmani u shpreh e ashpër me Bashkimin Evropian në lidhje me moslargimin e masave ndëshkuese, si dhe mosshqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në union. Ajo tha se vendet anëtare të BE-së nuk po e bazojnë procesin e integrimit në merita, por në bazë të agjendave politike.

Krahas presidentes Vjosa Osmani, në samitin e sotëm morën pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Sllovenisë, Natash Pirc Musar, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Procesi i Brdo-Brijunit është një ngjarje shumëpalëshe vjetore në Ballkanin Perëndimor. Ai u iniciua në vitin 2010 nga Sllovenia dhe Kroacia.

Procesi i Brdo-Brijunit përfshin Slloveninë dhe Kroacinë, shtete anëtare të BE-së, dhe kandidatët e kandidatët potencialë për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se pati mosmarrëveshje mes tij dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Imagjinoni kur Vjosa Osmani vjen dhe flet për integritetin territorial dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Dhe pastaj barku juaj kthehet përmbys, dhe të gjithë të tjerët dëgjojnë, duke tundur kokën…Kështu që ne ia kujtuam ditët e saj të turizmit në Kombet e Bashkuara, uruam më shumë turizëm në jetën e saj dhe kaq”, tha Vuçiç.