FOTO/ Hirin e bukurisë së një gruaje nuk e venit as mosha, as thinjat, as rudhat që koha i vizaton mbi fytyrën e saj
Hirin e bukurisë së një gruaje nuk e venit as mosha, as thinjat, as rudhat që koha i vizaton mbi fytyrën e saj si gdhendje të përjetësisë.
Bukuria e saj, në vitet e pjekurisë e më tej, shndërrohet në një reflektim të shpirtit të ndriçuar, një dritë e brendshme që s’ka nevojë për zbukurim, sepse ajo buron nga thellësia e qenies.
Është ai eter i kulluar si loti, ajo gjasshmëri me dritën e krijimit, që e ngjit në shkallën e ikonës, ku njerëzorja dhe hyjnorja bashkohen në harmoni.
Në këtë pikturë të krijuesit, që kohën e kthen në tablo dhe vitet në nuanca drite, gruaja ruan hirin dhe nurin e saj të pashuar. Vështrimi i saj mbart urtësinë e një jete të jetuar me dinjitet; thinjat e stolisin si dielli që përkëdhel argjendin e mëngjesit, ndërsa rudhat kolovisin kujtimet, dashuritë, lotët dhe buzëqeshjet që e kanë bërë atë njeri të plotë.
Një grua është e bukur në çdo moshë, por bukuria e moshës kur njeriu më shumë se rininë ruan shpirtin, është një magji e lartë, një dhuratë që vetëm koha di ta japë.
Sepse bukuria e vërtetë nuk është ajo që të shikon syri, por ajo që shndrit prej brendësisë dhe ndriçon botën përreth.

