Keni vazhdimisht ftohtë?/ Mund të mos jetë moti, por shëndeti juaj

Me ardhjen e vjeshtës, shumë njerëz kërkojnë rrobat e trasha dhe ngrohtësinë e shtëpisë.

Por nëse ndiheni vazhdimisht të ftohtë, edhe kur të tjerët rreth jush jo, trupi juaj mund të jetë duke ju dërguar një sinjal të rëndësishëm.

Sipas farmacistes Niamh Macmillan, ndjesia e të ftohtit e vazhdueshme nuk është gjithmonë pasojë e temperaturave të ulëta – në disa raste, ajo mund të tregojë për një gjendje shëndetësore që kërkon vëmendje mjekësore, raporton Express.co.uk.

Hipotiroidizmi – shkaku më i zakonshëm

Një nga arsyet kryesore pse njerëzit ngrijnë vazhdimisht është funksioni i reduktuar i gjëndrës tiroide (hipotiroidizmi).

Kjo ndodh kur gjëndra tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormone që rregullojnë metabolizmin dhe temperaturën e trupit.

“Një metabolizëm i ngadalësuar mund të ulë temperaturën bazë të trupit, duke ju bërë të ndiheni të ftohtë dhe të ndjeshëm ndaj temperaturave të ulëta,” shpjegon McMillan.

Simptoma të tjera të hipotiroidizmit përfshijnë:
• lodhje dhe rraskapitje,
• shtim në peshë,
• kapsllëk,
• lëkurë dhe flokë të thatë,
• humor të ulët,
• zë të ngjirur,
• cikël menstrual të çrregullt ose të rëndë.

Në këto raste, rekomandohet të bëhen analiza të hormoneve tiroide tek mjeku.

Sëmundja e Raynaud-it
Nëse gishtat e duarve ose këmbëve shpesh mpihen, zbardhen ose bëhen blu, veçanërisht në të ftohtë, mund të bëhet fjalë për sëmundjen e Raynaud-it.

Kjo gjendje shkakton ngushtimin e enëve të gjakut dhe kufizon qarkullimin, duke shkaktuar ndjesi të ftohti dhe mpirjeje.
“Për ata që vuajnë nga Raynaud, gjymtyrët e ftohta janë një sfidë e përditshme,” thekson McMillan.

Anemia
Anemia, veçanërisht ajo që lidhet me mungesën e hekurit, është një tjetër shkak i mundshëm.

Kur trupi nuk ka mjaftueshëm qeliza të kuqe për të transportuar oksigjen, qarkullimi dobësohet dhe shfaqet ndjesia e ftohtit, kryesisht në duar e këmbë.

Simptoma të tjera të anemisë:
• lodhje,
• marramendje,
• lëkurë e zbehtë,
• frymëmarrje e vështirësuar.

Diabeti i tipit 2
Në disa raste, diabeti i tipit 2 mund të dëmtojë nervat, sidomos në gjymtyrë, duke krijuar ndjesinë e ftohtit edhe kur lëkura është e ngrohtë në prekje.

Shenja të tjera të diabetit përfshijnë:
• etje të shtuar,
• urinim të shpeshtë,
• humbje të pashpjegueshme në peshë,
• lodhje të vazhdueshme.

Nëse keni simptoma të ngjashme, rekomandohet të kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak dhe të konsultoheni me një mjek.

Ndjesia e të ftohtit që nuk e ndajnë njerëzit përreth jush mund të mos jetë thjesht reagim ndaj motit. Ajo mund të jetë një paralajmërim që trupi juaj po përpiqet t’ju tregojë diçka më serioze.