VIDEO/ Intervistat radhë! Taylor Swift zbulon sekretet e dasmës, fton mikun e saj të ngushtë për të kënduar. Po Selena?
Taylor Swift sapo publikoi albumin e saj të fundit dhe nuk nguroi të jepte një seri intervistash në disa radio britanike, ku këngëtarja 35-vjeçare foli për dashurinë, martesën dhe frymëzimin pas projekteve të saj të fundit.
Gjatë një paraqitjeje në “BBC Radio 1” me Greg James, Taylor e surprizoi prezantuesin duke e ftuar në dasmën e saj, të cilën e përshkroi si një “dasmë destinacioni”, pa zbuluar ende vendndodhjen.
Taylor konfirmoi se do ta ftonte dhe se detajet do t’i ndante më vonë.
Në “Hits Radio Breakfast Show”, ajo pranoi se miku i saj i ngushtë Ed Sheeran do të ishte i pamundur për t’u mbajtur larg skenës në ditën e madhe.
“Ed, e di çfarë duan njerëzit dhe gjithmonë dëshiroj t’iu jap atë që duan. Të dyve na pëlqen të performojmë, të shkruajmë dhe të këndojmë, kështu që s’është e vështirë ta bindësh të këndojë në dasëm,” u shpreh Taylor me buzëqeshje.
Ylli amerikan tregoi gjithashtu se albumi i saj i ri është një “pasqyrë e plotë e jetës së saj aktuale”, ndryshe nga projektet e mëparshme që përshkruanin periudha të ndryshme të jetës.
“Ky album është si një fotografi e menjëhershme e asaj që jam tani,” tha ajo, duke shtuar se e ndjen më shumë se kurrë lidhjen mes dashurisë dhe krijimtarisë.
Në një intervistë tjetër me Capital Breakfast, Taylor konfirmoi se kënga e preferuar e Travis në album është “Opalite”, një këngë me domethënie personale për çiftin.
“Travis ka si gur lindjeje opalin, dhe më pëlqeu ideja se edhe lumturia, si opali i krijuar nga njeriu, mund të jetë e krijuar me dashuri,” shpjegoi ajo.
Në “Heart Breakfast” me Jamie Theakston dhe Emma Bunton, këngëtarja tregoi se unaza e fejesës u dizenjua nga Travis me ndihmën e argjendares Kendrik Lubek.
“Kur pashë unazën, menjëherë e kuptova kush e kishte bërë. Ai më dëgjoi, më njohu në detaje. Ishte një gjest që më preku shumë,” tha ajo me emocion.
Edhe pse fansat e saj e imagjinojnë si nusen perfekte, Taylor pranoi se nuk ka qenë asnjëherë e fiksuar pas idesë së dasmës.
“Në fakt, nuk kam menduar kurrë për këtë, derisa takova personin e duhur. Tani po e mendoj për herë të parë,” rrëfeu ajo.
Në fund, Swift foli për mënyrën se si dashuria me Travis e ka ndihmuar të ndjehet më krijuese dhe më e lumtur se kurrë.
“Në fillim të karrierës sime kisha frikë se nëse nuk do të isha e trishtuar, nuk do të mund të shkruaja më. Por tani e di që dashuria mund të të japë po aq frymëzim. Ai më bën të jem vetvetja më e mirë, dhe mendoj se kjo dëgjohet në çdo këngë të albumit.”
