“Betejë diplomatike” për makaronat! Tarifa që dyfishojnë çmimin në SHBA e godasin eksportuesit italianë
Një tarifë e re amerikane po trondit industrinë e makaronave italiane. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një taksë “anti-dumping” prej 91.7%, që pritet të dyfishojë çmimin e produkteve italiane në tregun amerikan.
Vendimi i Departamentit të Tregtisë së SHBA-së bazohet në dyshimet se disa kompani italiane kanë shitur nën kosto gjatë vitit të fundit.
Tarifa do të zbatohet përveç taksës ekzistuese prej 15% ndaj importeve nga Bashkimi Evropian dhe do të hyjë në fuqi në janar 2026.
Ministria e Jashtme në Romë e cilëson këtë masë “të padrejtë dhe të dëmshme”, ndërsa po punon me Komisionin Evropian për të bindur Uashingtonin që ta rishqyrtojë vendimin.
Italia ka kërkuar ndërhyrjen e Brukselit dhe po përgatit një ankesë ligjore, ndërsa ambasada italiane në Uashington është vënë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet amerikane.
Shtetet e Bashkuara janë një nga tre tregjet kryesore për makaronat italiane, me rreth 800 milionë dollarë eksporte në vit.
Sipas agjencisë ISTAT, vetëm në vitin 2024 Italia eksportoi mbi 2.5 milionë ton makarona, me vlerë që kalon 4 miliardë euro.
Nëse tarifa nuk rishqyrtohet, makaronat italiane do të bëhen një luks në tregun amerikan, duke goditur prodhuesit e vegjël dhe duke nxitur debat të ri tregtar mes BE-së dhe SHBA-së.
