Agjenti i FBI-së pezullohet nga detyra, refuzoi të merrte pjesë në shoqërimin e ish-drejtorit

Një agjent i FBI-së është pezulluar për shkak se refuzoi të merrte pjesë në një “paradë të të dyshuarit” (perp walk) të ish-drejtorit të Byrosë Federale të Hetimit, James Comey, sipas mediave amerikane.

Sipas CBS News, agjenti është pezulluar për mosbindje, pasi konsideroi se plani për të ekspozuar publikisht ish-drejtorin Comey ishte i papërshtatshëm.

Kjo vjen pasi Comey u akuzua zyrtarisht në shtetin e Virxhinias për dy akuza federale, disa ditë pasi ish-presidenti Donald Trump u bëri thirrje organeve të zbatimit të ligjit të ndërmarrin veprime më agresive ndaj kundërshtarëve të tij politikë, përfshirë vetë ish-drejtorin e FBI-së.

Sipas CBS-së, drejtues të FBI-së kanë diskutuar dërgimin e agjentëve të fuqishëm dhe të armatosur me jelekë antiplumb për të shoqëruar Comey-n në seancën gjyqësore në Alexandria javën e ardhshme.

Perp walk” është një praktikë e zakonshme në rastet me profil të lartë në SHBA, ku të dyshuarit ekspozohen publikisht teksa shoqërohen nga policia, shpesh përpara kamerave të mediave, gjatë transportit në ose nga një institucion gjyqësor apo policor.

Comey pritet të paraqitet në gjykatë më 9 tetor, për t’u njohur zyrtarisht me akuzat për dëshmi të rreme përpara Kongresit dhe pengim të një procesi kongresional. Ai akuzohet se gënjeu një komision të Senatit në vitin 2020 lidhur me autorizimin e një rrjedhjeje informacioni të klasifikuar drejt mediave.

Comey ka qenë në krye të FBI-së gjatë një periudhe të tensionuar, kur institucioni po hetonte ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe përdorimin e serverit privat të emailit nga Hillary Clinton kur ajo ishte Sekretare e Shtetit.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat penale dhe është shprehur se ka “besim të madh në sistemin gjyqësor federal”. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me deri në pesë vite burg.

Trump e shkarkoi Comey-n në fillim të mandatit të tij në vitin 2017, teksa FBI po hetonte lidhjet mes fushatës së Trump dhe Rusisë. Hetimi përfundoi pa prova se fushata ishte koordinuar me Kremlinin. Që prej asaj kohe, Comey ka qenë një shënjestër e vazhdueshme e sulmeve të Trump-it.