SHBA u ofron emigrantëve adoleshentë 2,500 $ për t’u kthyer vullnetarisht në shtëpi
Qeveria e Shteteve të Bashkuara planifikon të ofrojë 2,500 dollarë ndihmë në para për emigrantët adoleshentë që zgjedhin vullnetarisht të kthehen në vendet e tyre të origjinës, sipas një dokumenti të brendshëm të administratës federale të parë nga CBS News.
Në një njoftim të dërguar nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të premten, u tha se Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara do të ofrojë ndihmë të njëhershme “me qëllim riintegrimin” për emigrantët e pashoqëruar, mbi moshën 14 vjeç, të cilët zgjedhin të kthehen vullnetarisht në vendin e tyre të origjinës.
Kjo ofertë vlen ekskluzivisht për të miturit që janë nën juridiksionin e Zyrës për Refugjatët në Ministrinë e Shëndetësisë , e cila është e detyruar ligjërisht t’i vendosë ata në strehimore, familje kujdestare dhe institucione të tjera derisa të mbushin moshën 18 vjeç ose t’u gjendet një kujdestar i përshtatshëm.
Fëmijët nga Meksika nuk mbulohen nga kjo masë. Sipas autoriteteve amerikane, shumica e të miturve që kaluan kufirin vetë vijnë nga Amerika Qendrore pa prindër ose kujdestarë ligjorë.
Kthimi vullnetar është një proces i veçantë ligjor që duhet të miratohet nga një gjyqtar imigracioni dhe granti prej 2,500 dollarësh paguhet vetëm pasi aplikimi të miratohet dhe fëmija të mbërrijë në vendin e tij/saj.
Zyra e Imigracionit dhe Doganave (ICE) thotë se programi fillimisht do t’u ofrohet 17-vjeçarëve, duke theksuar se u jep atyre mundësinë për të bërë zgjedhje dhe për të marrë “vendime të informuara për të ardhmen e tyre”.
