Statovci: Gjykata e Hagës duhet të ndajë drejtësi, jo të ndikohet nga shtetet
Profesori Bedri Statovci tha në “Ora News” se Gjykata e Hagës nuk u krijua për të dënuar shqiptarët, por si pjesë e bashkëpunimit me shtetet që ndihmuan në lirinë e tyre. Ai theksoi se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e drejtë dhe të mos ndikojë nga interesat e vendeve të caktuara.
"Unë nuk besoj se ka njerëz të tillë, sidomos ato që luftuan për liri, që do themelonin një gjykatë me dëshirën e tyre sepse në momentin e themelimit asnjëri prej tyre nuk e ka pas ndonjë siguri që nuk do i nënshtrohet këtij procesi gjyqësor.
Në pyetje ishte partneriteti me shtetet që na ndihmuan të lirohemi, pra të dëshmojmë se liria jonë shkruhet me gjak dhe se nuk jemi agresorët prandaj liderët bënë çmos.
Unë them se gjykata e Hagës nuk duhet të punojë sipas tekave apo kërkesave të shteteve të caktuara, por ajo duhet të ndaj drejtësinë ndërkombëtare, pra ne nuk duhet si popull shqiptar as andej as këndej kufirit të presim se historia do të shkruhet në Gjykatën e Hagës sepse ajo është shkruar në luftë.
Aty presim një drejtësi ndërkombëtare sepse duke vepruar drejt e duke ndarë drejtësinë drejt ajo e arsyeton themelimin e saj dhe i tregon popullit tonë se liderët e deputetët tonë nuk gabuan që pranuan të ndërtohej një gjykatë e tillë", u shpreh Statovci.
