Izraeli nuk preket, FIFA nuk e fut as në rendin e ditës kërkesën për përjashtim

Izraeli do të vazhdojë të marrë pjesë në garat ndërkombëtare, si me klubet ashtu edhe me kombëtaren, pasi FIFA nuk e hodhi as në votim propozimin për përjashtimin e tij gjatë mbledhjes së Këshillit të zhvilluar të enjten në mënyrë virtuale.

Kërkesa për përjashtim ishte ngritur nga disa federata dhe mbështetej nga një pjesë e madhe e opinionit publik, por ajo nuk u përfshi në rendin e ditës.

Madje edhe UEFA nuk ndërmori hapa konkretë, duke u kufizuar vetëm në përcjelljen e shqetësimeve të disa anëtarëve, mes tyre Turqia dhe Norvegjia.

Një nga arsyet që e bën të pamundur një vendim të tillë është edhe lidhja e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, me presidentin Donald Trump, si dhe raportet e ngushta mes këtij të fundit dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Një lëvizje që do të dëmtonte Kupën e Botës, e planifikuar për t’u zhvilluar në SHBA, Meksikë dhe Kanada, duket pak e mundshme.

Në fjalën e tij, Infantino theksoi rolin unifikues të futbollit në kohë krizash:

“Në FIFA, jemi të përkushtuar që të përdorim fuqinë e futbollit për të bashkuar njerëzit në një botë të përçarë.

Mesazhi më i rëndësishëm që futbolli mund të japë sot është ai i paqes dhe unitetit”, deklaroi ai.

Infantino shtoi se FIFA nuk ka fuqinë për të zgjidhur problemet gjeopolitike, por mund dhe duhet të promovojë vlerat edukative, kulturore dhe humanitare të futbollit në çdo cep të botës.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli i FIFA-s caktoi Azerbajxhanin dhe Uzbekistanin si organizatorë të përbashkët të Botërorit U-20 në vitin 2027, ndërsa Londra u zgjodh si mikpritëse e fazës finale të Kupës së Kampioneve për Femra në janar–shkurt 2026.