Inter synon përforcimin e mbrojtjes, emri i ri është Ibrahima Konaté
Interi po punon që tani për merkaton e verës së ardhshme dhe vëmendja është përqendruar te përforcimi i repartit të mbrojtjes.
Sipas asaj që raporton ‘L’Interista’, në listën e zikaltërve ka hyrë një emër i rëndësishëm: Ibrahima Konaté, qendërmbrojtës i Liverpoolit.
Kontrata e francezit me klubin anglez skadon në qershor 2026 dhe, sipas medieve britanike, lojtari nuk ka ndërmend të rinovojë.
Kjo situatë ka vënë në lëvizje jo vetëm Interin, por edhe Real Madridin, i cili e ka futur Konatén në planet e tij.
Liverpooli, nga ana e tij, dëshiron të shmangë përsëritjen e rastit të Alexander-Arnold, i cili u largua falas drejt “Los Blancos”.
Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që klubi anglez ta lërë të lirë qysh në janar, me një shifër më të ulët se vlerësimi aktual prej 60 milionë eurosh.
Për Interin, një operacion i tillë do të ishte i komplikuar në aspektin financiar, por jo i pamundur, sidomos nëse Liverpool-i vendos të ulë çmimin.
Në Milano shpresojnë që pista të mbetet e hapur dhe zikaltrit të mund të përfitojnë nga situata kontraktuale e mbrojtësit.
Në pritje të zhvillimeve, Konaté mbetet një nga objektivat më të nxehtë për mbrojtjen e Interit në sezonin e ardhshëm.
