Estonia: Rrëzimi i avionëve luftarakë rusë do të kishte qenë një gabim strategjik

Kreu i forcave të armatosura të Estonisë ka mbrojtur reagimin ndaj ndërhyrjes ruse në hapësirën ajrore të vendit të tij, duke thënë se zgjedhja për të rrëzuar avionët luftarakë – siç kanë sugjeruar disa – do të kishte qenë një gabim strategjik.

“Unë mbaj qëndrimin se do të kishte qenë një gabim strategjik t’i rrëzonim ata këtë herë. Pasojat për ne do të kishin qenë shumë më të këqija sesa suksesi diplomatik që arritëm duke zgjidhur incidentin. Dhe shumë nga aleatët tanë ndoshta nuk do ta kishin kuptuar një veprim të tillë”, tha Andrus Merilo në një intervistë në televizionin estonez.

Sipas Estonisë, tre avionë të armatosur rusë MiG-31 fluturuan ilegalisht nëpër hapësirën ajrore të vendit mbi detin Baltik për 12 minuta, më 19 shtator.

Estonia kërkoi një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe konsultime me aleatët e saj të NATO-s për të diskutuar shkeljen. Në një deklaratë të mëvonshme, NATO paralajmëroi Rusinë për forcë të mundshme në përgjigje të shkeljeve të mëtejshme.

Incidenti nxiti thirrje për veprime më të ashpra kundër shkeljeve të hapësirës ajrore, duke përfshirë rrëzimin e avionëve luftarakë rusë.

Merilo tha se trajtimi i incidenteve të ardhshme do të varet nga situata, duke theksuar se NATO do të përgjigjet me vendosmëri dhe do të përdorë forcën nëse është e nevojshme.

”Por, nuk kishte arsye për të rrëzuar avionët luftarakë rusë dy javë më parë”, tha shefi i ushtrisë estoneze.

Ai tha se armët e tyre nuk ishin projektuar për të shkatërruar objektiva tokësore dhe për këtë arsye nuk klasifikoheshin si një kërcënim i menjëhershëm.

Pavarësisht shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore, Merilo beson se vlerësimi i përgjithshëm i kërcënimit për Estoninë nuk ka ndryshuar.

”Duke pasur parasysh që forcat e Rusisë mbeten të bllokuara në Ukrainë, rreziku i një sulmi ushtarak konvencional nuk është rritur”, tha ai.