Prishtina “hap krahët”, fluturime direkt drejt Xhedas
Nga sot, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari" ka nisur fluturimet direkte për në Xheda të Arabisë Saudite, duke hapur një destinacion të ri, të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës.
Në njoftimin zyrtar, drejtuesit e aeroportit e kanë cilësuar këtë si një moment historik që rrit lidhjet e Kosovës me botën dhe u ofron udhëtarëve më shumë mundësi për udhëtim.
“Me këtë linjë të re direkte, udhëtarët tanë do të kenë një qasje më të shpejtë dhe më të lehtë drejt Arabisë Saudite.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm për lidhjet tona ndërkombëtare dhe për fuqizimin e pozitës së aeroportit tonë në rajon”, thuhet në komunikatën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Fluturimet për në Xheda do të operohen disa herë në javë, sipas një orari të dedikuar që do të publikohet nga kompanitë ajrore partnere.
Kjo linjë e re shënon një tjetër hap në rritjen e rrjetit të destinacioneve ndërkombëtare nga Prishtina, pas shtimit të fluturimeve drejt qyteteve kryesore evropiane dhe më gjerë.
