Tryeza e vlerësimit të riskut të integritetit, Goxhobelli: Hapa solidë për transformimin e Kadastrës
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) zhvilloi sot tryezë diskutimi për vlerësimin e riskut të integritetit të institucionit, një proces thelbësor për forcimin e transparencës, rritjen e besueshmërisë dhe garantimin e shërbimeve më të sigurta për qytetarët.
Në tryezën e hapur morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, noterë, organizata të shoqërisë civile, si dhe partnerë ndërkombëtarë.
Aktiviteti u realizua me bashkëpunimin e ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, si edhe me pjesëmarrjen e përfaqësueses së Delegacionit të Bashkimit Europian, Cinzia Tarletti, të cilat theksuan rëndësinë e forcimit të integritetit institucional dhe domosdoshmërinë e përputhjes së reformave me standardet europiane.
Në fjalën e saj, drejtoresha e përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, nënvizoi se ndonëse përvoja e qytetarëve me kadastrën nuk është konsoliduar plotësisht, hapat që po ndërmerren sot janë të rëndësishëm për transformimin e institucionit.
“Perceptimi jo gjithmonë pozitiv që ekziston kërkon punë, përkushtim dhe transparencë nga ana jonë. Por jam e bindur kur them se hapat që po hedhim sot janë solidë dhe mbi të gjitha janë një garanci e padiskutueshme për transformimin e Kadastrës në një institucion që u shërben qytetarëve, me standarde moderne dhe me fokus tek interesi i tyre”, u shpreh Goxhobelli.
Më tej, ajo theksoi rëndësinë e Planit të Integritetit.
“Plani i Integritetit, një program konkret për identifikimin e riskut në çdo drejtori dhe sektor të institucionit synon të parandalojë çdo formë abuzimi apo padrejtësie”, vuri në dukje ajo.
ASHK e konsideron këtë proces jo vetëm një detyrim ligjor, por mbi të gjitha një angazhim moral dhe institucional, në funksion të ndërtimit të një administrate moderne, efikase dhe të besueshme, në përputhje me standardet europiane.
