PROGRAMET/ Aktivitete të shumëllojshme arti e kulture nëpër Shqipëri
Kjo javë pritet të sjellë plot art, kulturë dhe eksperienca të reja jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet të tjera të Shqipërisë.
Prej aktiviteteve kulturore të kësaj jave veçojmë Javën Kulturore Hungareze, e cila zhvillohet nga data 29 shtator, deri më 2 tetor.
Një prej aktiviteteve të kësaj jave është konkursi i vizatimit “Geraldine 110”, në datën 30 shtator, në Ambasadën hungareze, si dhe Grand Gala në 1 tetor, kushtuar kulinarisë hungareze, aktivitet i cili do të zhvillohet në Hotel Rogner.
Njëkohësisht nis Queer Film Marathon Tirana (29 shtator – 16 tetor). Aktiviteti zhvillohet te Qendra e Artit “Agimi”, Tulla Center dhe Vila 31.
Festivali Ndërkombëtar Teatror “Skampa” nis më 2 tetor dhe vijon deri më 6 tetor.
Ekspozita “Dy botë, një realitet” nga Abaz Hado dhe Kamuran Goranci, do të vijojë të mirëpresë publikun deri në fundjavë, në Galerinë “Nikolet Vasia”.
Teatri “10 vjet martesë”, është një komedi për të rritur por që do të shfaqet deri më 2 tetor në sallën e Teatrit të Kukullave.
Teatri “Rendi i ri”, me regji të Kiço Londos, do të shfaqet në datat 2 dhe 3 tetor, teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës.
Në 3 tetor, Orkestra Simfonike e RTSH-së, do të japë një koncert në Universitetin e Arteve, nën dirigjimin e Gridi Krajës.
Ndërkohë prej datës 3 tetor, do të nisin aktivitetet e Javës Kulturore Gjermane të cilat do të vijojnë deri më 8 tetor. Çelja e Javes Kulturore Gjermane do të kryhet tek Pazari i ri.
Në fundjavë, Berati fton në festën “Wine&Stories of Berat” (Vera dhe historitë e Beratit), aktivitet që do të organizohet në bulevardin “Republika”.

