Elbasani gati për të pritur trupat artistike pjesëmarrëse në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit
Elbasani po bëhet gati për edicionin e 27-të të “Skampa Extension”, festivali teatror që nis më 2 tetor.
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skampa” është një ngjarje që prej shumë vitesh është shndërruar në traditën më të madhe kulturore të qytetit.
Me moton “Extension” (zgjerim), festivali i këtij viti vjen me një program të pasur shfaqjesh e vizionesh artistike, duke mirëpritur trupa ndërkombëtare nga Turqia, Greqia, Kosova, Lituania, Serbia dhe Shqipëria. Publiku do të ketë mundësinë të shijojë 11 shfaqje teatrore të ndryshme, të cilat do të ngjiten në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan, por edhe në Tiranë.

Festivali zhvillohet me mbështetjen kryesore të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit si dhe të Bashkisë Elbasan, nën kujdesin e kryebashkiakut Gledian Llatja. Përveç shfaqjeve, programi do të pasurohet edhe me seminare, ekspozita fotografike dhe promovime librash, duke e kthyer qytetin në një qendër të gjallë të artit dramatik.
Prej 27 vitesh, “Skampa” ka pritur me qindra trupa të huaja dhe vendase, duke e vendosur Elbasanin në hartën e festivaleve ndërkombëtare dhe duke dëshmuar se ky qytet është një vatër e kulturës dhe artit, që vit pas viti e forcon dhe e rinovon këtë traditë të vyer.

