Kumbaro: Nanoteknologjia, një shkencë premtuese për të ardhmen e Shqipërisë
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se nanoteknologjia përfaqëson një fushë shkencore të re dhe premtuese për të ardhmen e Shqipërisë.
Kumbaro mori pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Nanoteknologjisë, që zhvilloi punimet sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, anëtarëve të Akademisë së Shkencave, si dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.
Ministrja Kumbaro theksoi angazhimin e fakulteteve të shkencave ekzakte dhe inteligjencës artificiale për ngritjen e mëtejshme të nivelit të kërkimit dhe zhvillimit në fushën e nanoteknologjisë në vend.
Ajo vlerësoi veçanërisht rolin e Akademisë së Shkencave, e cila përmes projekteve NanoALB dhe NanoBalkan, ka krijuar një bazë të fortë për zhvillimin e nanoshkencës në Shqipëri.
“Tani është momenti që kjo qendër të ngrihet në një nivel tjetër, duke përfshirë kontributin e universiteteve shqiptare dhe atyre të rajonit, sidomos fakultetet e shkencave ekzakte dhe të inteligjencës artificiale”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së studiuesve të rinj në kërkimet shkencore, duke shtuar se “shkenca nuk njeh kufij” dhe duhet të jetë një hapësirë bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar.
Ky kongres shënon një hap të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të inovacionit dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, me fokus në teknologjitë e të ardhmes si nanoteknologjia dhe inteligjenca artificiale.

