Juventus në “ankth”, dy futbollistë dëmtohen dhe rrezikojnë sfidën e Championsit

Alarm në shtëpinë e Juventusit në prag të sfidës së Champions League kundër Villarrealit.

Përveç barazimit të dytë radhazi në kampionat, ndeshja ndaj Atalantës solli edhe dy shqetësime serioze: Gleison Bremer dhe Khéphren Thuram u detyruan të braktisin fushën për shkak dëmtimesh, duke vënë në dyshim pjesëmarrjen e tyre në transfertën europiane.

Situata më e ndërlikuar i përket Bremerit, i cili u largua pas dhimbjesh në gjurin e majtë, pikërisht në zonën ku ka pasur ndërhyrje kirurgjikale më herët.

Klubi bardhezi po e monitoron me kujdes gjendjen e mbrojtësit brazilian, edhe pse trajneri Igor Tudor u shpreh pas ndeshjes: “Mendoj se nuk është asgjë e rëndë.”

Probleme edhe për Thuram, i cili u zëvendësua nga McKennie pas shqetësimeve në pulpën e majtë.

Mesfushori francez kishte shfaqur shenja lodhjeje që në sfidën e kaluar ndaj Veronës, ndërsa dje nuk arriti të përfundonte një pjesë loje në nivelin e tij më të mirë.