PAMJET/ “Byshek Fest”, mes natyrës, traditës dhe argëtimit në zemër të Shushicës

Bysheku, vetëm 5 kilometra larg qytetit të Elbasanit, këtë të shtunë, u shndërrua në një qendër të gjallë festimi, ku natyra, tradita dhe argëtimi u bashkuan në një aktivitet unik.

“Byshek Fest”, e organizuar nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, solli një ditë të mbushur me atmosferë, mikpritje dhe gjallëri për banorët dhe vizitorët.

Prej dekadash, elbasanasit e kanë zgjedhur Byshekun si një vend pushimi e relaksi, nën hijen e rrapit shekullor dhe pranë ujit të freskët që buron nga burimet natyrore.

Në vitet e fundit, këtij vendi i janë shtuar edhe turistë të huaj, duke e futur Byshekun në hartën e pikave turistike më të vizituara të Elbasanit dhe duke e kthyer në një nga destinacionet e para që të huajt kërkojnë të zbulojnë.

PAMJET/ “Byshek Fest”, mes natyrës, traditës dhe

Nën hijen e rrapave, vizitorët shijuan ushqime tradicionale, muzikë live dhe aktivitete zbavitëse që pasqyruan shpirtin e kësaj zone.

Një vend të veçantë zuri edhe panairi i punimeve artizanale të zonjave të zonës, ku u ekspozuan produkte të dorës si qëndisje, punime me grep, tekstile dhe produkte të tjera tradicionale që pasqyruan mjeshtërinë dhe trashëgiminë kulturore të trevës.

Atmosfera festive u ndërthur me vlerat kulturore e natyrore të Byshekut, duke e bërë këtë festë një përvojë të veçantë për fëmijë, të rinj dhe familje të tëra.

I pranishëm në festë, kryebashkiaku Gledian Llatja theksoi rëndësinë e promovimit të zonave rurale dhe vlerave të tyre natyrore e kulturore.

“Bysheku është një perlë turistike e Elbasanit. Përmes kësaj feste ne jo vetëm që i japim jetë traditës, por krijojmë edhe një mundësi për të forcuar ekonominë lokale dhe për të afruar qytetarët me natyrën dhe bukuritë e saj”, u shpreh ai. Në këtë event ishin të pranishme edhe dy deputetet e Elbasanit, Aulona Bylykbashi dhe Evis Kushi.

“Byshek Fest” nuk ishte thjesht një ditë argëtimi, por një urë lidhëse mes qytetit dhe fshatit, një mundësi për të risjellë në vëmendje pasurinë kulturore e natyrore që rrethon Elbasanin.

Festa e Byshekut solli bukurinë e traditës dhe gjallërinë e komunitetit, nën hijen e rrapeve shekullorë dhe pranë ujit të freskët të burimit.