Universiteti i Vlorës me 10 programe të reja, rektorja Saliaj: 4500 kuota në të gjitha fakultetet

Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë në vitin e ri akademik 2025-2026 do të hapë 10 programe të reja, në të gjitha ciklet e studimit: diploma profesionale, bachelor, master, ndërkohë që pritet të hapë edhe dy programe doktorature.

Rektorja e Universitetit të Vlorës, Prof.Dr. Aurela Saliaj tha në një intervistë për ATSH-në se “për vitin akademik 2025-2026, Universiteti i Vlorës ofron gjithsej 4500 kuota për programet e studimit në të gjitha fakultetet dhe ciklet e studimit”.

“Kuotat janë në nivele të larta kryesisht në degët me interes të lartë si Infermieri, Administrim biznesi, Financë, Inxhinieri mekanike, Inxhinieri elektrike dhe Juridik, ndërsa ende ka vende të lira në programe si Kontabilitet, Matematikë, Navigacion, Histori-Gjeografi, Gjuhë të Huaja,  Gjuhë-Letërsi etj, të cilat vazhdojnë të pranojnë aplikime”, theksoi Saliaj.

Rektorja Saliaj bëri të ditur se “këtë vit në universitetin tonë janë hapur degët Matematikë Informatike, Operator turistik, Asistencë geriartrike, Inxhinieri Armatimi duke zgjeruar mundësitë e studentëve dhe duke u përshtatur me kërkesat e tregut të punës”.

Sa i përket programeve tërësisht në gjuhën angleze, Saliaj informoi se në funksion të plotë dhe të strukturuara për të pritur studentë ndërkombëtarë janë degët Arkitekturë në Trashëgimi, Inxhinieri Kompjuterike, ku falë këtyre programeve Universiteti i Vlorës për herë të parë do të diplomojë studentë ndërkombëtarë.

Ky universitet do të ofrojë programe të përbashkëta me Institucione të Arsimit të Lartë brenda dhe jashtë vendit, një prej të cilave ofron diploma të BE-së.

“Një prej tyre është programi Menaxhimi dhe Mbrojtja e Mjedisit Detar me Universitetin e Durrësit dhe Universitetin e Malit të Zi, i cili është ofruar për herë të parë në vitin akademik 2024-2025 dhe zhvillohet tërësisht anglisht dhe vijon edhe këtë vit. Një tjetër program që ka shfaqur interes është Arkitekturë në Trashëgimi në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Barit, i cili ofrohet për herë të parë në vitin akademik 2025-2026 dhe zhvillohet tërësisht në anglisht. Gjithashtu një tjetër program është Inxhinieri Armatimi – me Akademinë e Forcave të Armatosura, Tiranë që ofrohet për herë të parë në vitin akademik 2025-2026, nën kujdesin e Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Saliaj.

Aktualisht, Universiteti i Vlorës ka marrëveshje bashkëpunimi me 110 universitete të huaja, që mbulojnë fusha nga programet e shkëmbimit të studentëve dhe stafit, projekte kërkimore, deri tek programet e përbashkëta master/doktoratë.

“Falë këtij programi, çdo vit rritet numri i studentëve dhe pedagogëve që marrin pjesë në mobilitete ndërkombëtare, si dhe numri i pedagogëve të huaj që zhvillojnë leksione pranë nesh”, tha Saliaj.

Gjithashtu, shtoi rektorja Saliaj, universiteti ynë është partner aktiv në programe si Erasmus+ dhe Horizon Europe, duke ofruar mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe akademik.

Lidhur me regjistrimet e studentëve që do të nisin për herë të parë arsimin e lartë në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, Saliaj tha se “kanë shënuar një rritje prej 10% krahasuar me një vit më parë”.

Sipas saj, kjo tregon rritjen e interesit për programet tona të studimit dhe besimin në cilësinë e arsimit që ofron Universiteti i Vlorës.

“Deri më tani janë regjistruar 660 studentë në programet e studimit të ciklit të parë, bachelor dhe diploma profesionale. Regjistrimet në programet e ciklit të dytë sapo kanë filluar dhe pas një muaji do të kemi rezultate përfundimtare”, tha Saliaj.

Universiteti “Isamil Qemali” në Vlorë ka zgjeruar ndjeshëm bashkëpunimet ndërkombëtare përmes marrëveshjeve bilaterale, pjesëmarrjes në programe mobiliteti dhe projekte të përbashkëta kërkimore e akademike.

Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës është një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Shqipëri, i angazhuar për ofrimin e një edukimi cilësor dhe përgatitjen e studentëve për sfidat e një tregu të punës gjithnjë e më global.

Me një gamë të gjerë programesh studimi në nivelin Programe profesionale 1-2 vjeçare, Bachelor, Master, dhe Doktoraturë, Universiteti “Ismail Qemali” ofron mundësi për një formim të thelluar në fushat më të kërkuara të shkencës dhe teknologjisë, si dhe në shkencat humane dhe shëndetësore.

Universiteti ka një angazhim të fortë për të ndihmuar studentët të zhvillojnë aftësi të rëndësishme që i mundësojnë atyre të jenë të gatshëm për një karrierë ndërkombëtare dhe për të përmbushur kërkesat e një bote gjithnjë e më të globalizuar.

Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës është gjithashtu i angazhuar për të mbështetur studentët në zhvillimin e karrierave të tyre profesionale./ATSH/