Performancë teatrale nga artistët sauditë në kuadër të Javës Kulturore të Arabisë Saudite

Një udhëtim të jashtëzakonshëm përmes skenës solli performanca teatrale e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në kuadër të Javës Kulturore të Arabisë Saudite.

Artistët sauditë sollën një pasqyrë të trashëgimisë së pasur kulturore, e cila përcillet brez pas brezi përmes artit, muzikës dhe traditave popullore. Publiku pati mundësinë të përjetojë nga afër energjinë dhe emocionet e shfaqjeve tradicionale Daq al-Hab, Al-Heidah, Al-Hand, Al-Fareesa dhe Al-Tanboorah, duke zbuluar një pjesë të rëndësishme të historisë dhe shpirtit kulturor të Arabisë Saudite.

Java Kulturore e Arabisë Saudite vazhdon deri në datë 20 shtator, tek Pallati i Kongreseve ndërkohë që ajo do të pasohet nga Java Kulturore e Kinës.

Java Kulturore Kineze në Tiranë do të zhvillohet në datat 22–26 shtator. Tirana do të mbushet me ngjyra, tinguj, ritme dhe shije nga Kina, duke sjellë një përvojë të veçantë për të gjithë dashamirësit e artit dhe kulturës.

Për pesë ditë me radhë, publiku shqiptar do të ketë mundësinë të udhëtojë mes pikturave që pasqyrojnë shpirtin e Kinës, melodive që ndjekin gjurmët e “Rrugës së Mëndafshit”, ritmeve plot hijeshi të operës dhe vallëzimit tradicional, si edhe shijeve autentike të kuzhinës kineze që tregojnë historinë e një kulture mijëravjeçare.

Të gjitha aktivitetet e kësaj jave do të jenë hapura për publikun dhe me hyrje të lirë.