PAMJE ME DRON/ Peza n’Fest, një ditë kujtese plot festë, histori e traditë (FOTO+VIDEO)
Peza u kthye sot në një skenë të madhe feste, historie e tradite.
Peza n’Fest nisi me një ceremoni përkujtimore në nder të 83-vjetorit të Konferencës së Pezës. Festa u hap mes emocionit e kujtesës historike. Paraditja vijoi plot gjallëri me: performancën e Bandës së Qytetit; koncertin e Ansamblit “Tirana”; numra të zgjedhur nga Cirku Kombëtar, aktivitete të ndryshme art & craft dhe sporte për fëmijët; shfaqje nga Teatri i Kukullave.
Gjithashtu të pranishmit e shumtë u argëtuan me lojëra rekreative e popullore.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ftoi për të mos humbur as programin e pasdites, me këngëtarët që do të “ndezin” skenën e Pezës.
Në oraret e pasdites dhe darkës do të ketë: kolazh muzikor me këngë partizane dhe muzikë filmash (nga Lambert Jorganxhi); koncert i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore; performancë e band-it muzikor të Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura; koncerti i mbrëmjes me këngëtarë të ftuar; DJ deri në orët e vona.
S’do të mungojë as Muzeu i Forcave të Armatosura në Peza n’Fest. Muzeu do të sjellë dëshmi të gjalla të historisë sonë dhe të Ushtrisë Shqiptare, duke ekspozuar armë, dokumente dhe objekte origjinale të Luftës Nacionalçlirimtare.

