Fermerët drejt formalizimit, 19 milionë euro fatura në periudhën qershor-korrik

Administrata Tatimore raportoi një rritje të dukshme të autofaturimit nga fermerët, një hap i rëndësishëm në procesin e formalizimit dhe përmirësimit të transparencës në sektorin e bujqësisë në Shqipëri.

Sipas të dhënave të fundit, vlera e faturimeve gjatë periudhës qershor-gusht, ka shënuar një rritje prej 86.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 19 milionë euro.

Ky progres i rëndësishëm vjen si rezultat i një angazhimi në rritje nga ana e fermerëve për t’u regjistruar dhe për të përdorur sistemin e autofaturimit.

Sipas Administratës Tatimore, 57% e fermerëve tani janë të aktivizuar në këtë sistem, një rritje e ndjeshme që tregon se gjithnjë e më shumë fermerë po përmbushin detyrimet fiskale, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të rregullt ekonomik.

Një element kyç i këtij procesi është përmirësimi i gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore. Rritja e numrit të autofaturave është një hap i rëndësishëm për forcimin e zinxhirit ushqimor, duke ndihmuar në kontrollin më të madh mbi burimet dhe prodhimin e ushqimeve. Kjo kontribuon në rritjen e besueshmërisë dhe sigurisë së produkteve që arrijnë tek konsumatorët, si dhe në uljen e informalitetit.

“Shifrat tregojnë qartë se formalizimi i zinxhirit ushqimor po ecën me ritme të shpejta, duke rritur transparencën dhe forcuar bazat për një ekonomi më të konkurrueshme”, bën të ditur DPT.