Rusia: Planet e BE-së për tu shkëputur nga energjia ruse nuk e ndyshojnë qëndrimin tonë

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, tha se planet e Bashkimit Evropian për të përshpejtuar shkëputjen graduale nga energjia dhe mallrat ruse nuk do ta ndikojnë Rusinë dhe nuk do ta detyrojnë atë të ndryshojë qëndrimin e saj.

"(Vendet evropiane) gabimisht besojnë se vazhdimi i politikës së sanksioneve është i aftë të ndikojë disi në qëndrimin e Federatës Ruse.

 Rusia, e cila mbron interesat e saj kombëtare, sigurisht që nuk preket nga këto sanksione.

Dhe tre vitet e fundit e kanë demonstruar bindshëm këtë", tha Peskov në një konferencë me ​​gazetarët.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ekzekutivi i BE-së do të propozonte një heqje graduale më të shpejtë të importeve të karburanteve fosile ruse.

Ekonomia e Rusisë ka treguar qëndrueshmëri ndaj sanksioneve perëndimore për shkak të konfliktit në Ukrainë, megjithëse përballet me inflacion të lartë dhe një deficit buxhetor në rritje, pjesërisht si rezultat i rritjes së ndjeshme të shpenzimeve ushtarake.

Pavarësisht sanksioneve, BE-ja ende importon miliarda euro energji dhe mallra ruse, nga gazi natyror i lëngshëm deri te uraniumi i pasuruar, megjithëse importet e saj të naftës dhe gazit rus kanë rënë ndjeshëm.