“NAVALNY U HELMUA”/ Bashkëshortja e opozitarit rus ngre akuza të reja për vdekjen
Bashkëshortja e liderit të opozitës ruse ka ngritur akuza të reja se Alexei Navalny është helmuar. Ajo shprehet se akuzat i mbështet pas analizave të bëra nga kampione të gjakut
Yulia Navalnaya, e veja e liderit opozitar rus Alexei Navalny, ka akuzuar publikisht se bashkëshorti i saj është “helmuar” në burgun në Siberi, ku humbi jetën më 16 shkurt të vitit të shkuar 2024.
Në një postim në rrjetet sociale, Navalnaya deklaroi se familja kishte arritur të siguronte kampione biologjike të Navalnyt dhe t’i transferonte jashtë Rusisë, ku dy laboratorë në vende të ndryshme perëndimore kishin konfirmuar përmes analizave se opozitari ishte helmuar.
Gjithashtu u bë e ditur se u morën dëshmitë e pesë punonjësve të sigurisë, të cituara nga portali Meduza, ku thuhet se Navalny ankohej për dhimbje në këmbën e djathtë që prej fillimit të shkurtit. Më 14 shkurt ai u vendos në izolim, ndërsa dy ditë më pas, ditën e vdekjes, gjatë orarit të shëtitjes, ai ndjeu dhimbje të forta në gjoks e stomak, nisi të vjellë dhe më pas përjetoi kriza konvulsive.
Rreth orës 13:10 pasi kishte konsumuar drekën ai u pa të kërkonte ndihmë ndërsa humbi ndjenjat pak më pas kur dhe kishin mbërritur mjekët. përpjekjet e personelit dhe të ambulancës për ta mbajtue në jetë dështuan. Zyrtarisht, raporti mjekësor regjistroi “sindromë konvulsive” dhe “sindromë të vdekjes së papritur”.
Megjithatë, në dokument nuk përmenden konvulsionet, ndërsa u evidentuan dëmtime në trup dhe një hemorragji në pjesën e sipërme të kafkës. E veja e tij pretendon se këto plagë u shkaktuan teksa burri i saj godiste trupin në dysheme gjatë krizave.
Një tjetër detaj që ngre dyshime është mungesa e filmimeve nga kamerat e sigurisë ditën e vdekjes.
Në deklaratën e saj, Yulia Navalnaya akuzoi drejtpërdrejt presidentin Vladimir Putin dhe shërbimet sekrete ruse për helmimin dhe vrasjen e Navalnyt.
Ndërkohë, Kremlini për këto akuza pati vetëm një reagim. “No comment”ishte përgjigja që Zëdhënësi Dmitry Peskov tha për agjencinë TASS duke shtuar nuk ishte në dijeni të akuzave të reja dhe nuk mund të bënte asnjë koment.

