Bajrami: Rinia zgjedh teknologjinë, por e lë pas bujqësinë
Kordinatorja e shkollës profesionale në Kamëz, Elizabeta Bajrami, ishte e ftuar në emisionin “Epiqendër” në Ora News, të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, ku foli për zhvillimet dhe sfidat e arsimit profesional në vend.
Znj. Bajrami bëri të ditur se shkolla profesionale Kamëz ofron 7 drejtime mësimore, dhe aktualisht ka mbi 1500 nxënës të regjistruar, një rritje e ndjeshme që sipas saj tregon rritjen e cilësisë dhe besimit të prindërve dhe të rinjve ndaj këtij modeli arsimimi.
Ndër drejtimet më të kërkuara nga të rinjtë janë:
Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), Hoteleri-Turizëm, Shërbime mjetesh transporti.
Këto degë, sipas znj. Bajrami, kanë një potencial të lartë punësimi dhe përputhen me kërkesat e tregut të punës, duke i bërë shumë tërheqëse për të rinjtë.
Megjithatë, ajo vuri në dukje se dy drejtimet Agrobiznes dhe Bujqësi, pavarësisht potencialit të tyre për punësim dhe zhvillim ekonomik, nuk po marrin vëmendjen e duhur.
“Fatkeqësisht, këto degë nuk janë në nivelin që duhet, ndonëse ka shumë mundësi reale për punësim në sektorin bujqësor,” u shpreh ajo.
