Rubio i kërkon Katarit të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit në Gazë, ndërsa Izraeli sulmon enklavën
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio i bëri thirrje sot Katarit të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen e konfliktit në Gazë – duke folur në Jerusalem në të njëjtën ditë që udhëheqësit arabë u takuan në Doha për t’iu përgjigjur sulmit izraelit, sipas “Reuters”.
Katari, një aleat i SHBA-së që ka bashkëndërmjetësuar bisedimet midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, u zemërua javën e kaluar nga sulmi i Izraelit në kryeqytetin e tij, i cili shënjestroi udhëheqësit e Hamasit që banojnë atje.
Duke folur së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në zyrën e tij në Jerusalem, Rubio tha se Katari mund të ndihmojë në arritjen e qëllimeve të lirimit të të 48 pengjeve që mbahen ende në Gaza, çarmatosjen e Hamasit dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për banorët e Gazës.
“Dhe kështu ne do të vazhdojmë ta inkurajojmë Katarin të luajë një rol konstruktiv në këtë drejtim”, tha ai.
Netanyahu, i cili nuk është tërhequr asnjë “centimetër” që kur sulmi në Doha shkaktoi kritika të gjera, tha se nuk i përjashtonte sulmet e mëtejshme ndaj udhëheqësve të Hamasit kudo që të ishin.
“Forcat izraelite kanë vazhduar sulmet në Qytetin e Gazës, ku vranë të paktën 16 palestinezë në sulme ndaj shtëpive ku strehoheshin një familje të zhvendosur”, thanë autoritetet lokale të shëndetësisë.
Ushtria goditi dhe shkatërroi gjithashtu një ndërtesë 16-katëshe në perëndim të qytetit, që besohet të jetë më e larta në Rripin e Gazës, rreth një orë pasi paralajmëroi familjet e zhvendosura që strehoheshin diku tjetër.
Rubio i dha mbështetje të fortë Izraelit, i cili është bërë gjithnjë e më i izoluar në skenën botërore për shkak të indinjatës së përhapur ndaj numrit të madh të të vdekurve në Gazë dhe krizës së vazhdueshme humanitare dhe të urisë në enklavën palestineze.
