Diella humb fytyrën në dhjetor?! Aktores së njohur, ish-zëdhënëse e Bashës, i përfund kontrata në fundvit me ministrinë AI
Anila Bisha, ish zëdhënësja e Lulzim Bashës, është zëri dhe imazhi që qëndron pas Diellës, ministres së parë të krijuar nga inteligjenca artificiale. Aktorja pranon se imazhi është përdorur me dakortësinë e saj për t’u bërë avatar dhe marrëveshja mbaron në dhjetor të këtij viti.
“Imazhi i e-Albania jam unë. Edhe zëri. Me dakordësi, imazhi është përdorur për t’u bërë avatar dhe mbaron në dhjetor të vitit 2025,”- shprehet aktorja.
E mesa duket thashethemet e verës u bënë realitet. Edi Rama futi nje demokrat në qeveri vetëm se ndryshe nga 2017 kur vendosi Gazmend Bardhin ministër teknik të drejtësisë, tani Anila Bisha është "ministre virtuale".
Prej dy ditësh, Diella, ministrja e krijuar nga inteligjenca artificiale, ka marrë vëmendjen e opinionit publik brenda dhe jashtë vendit.
Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë anëtares së re të kabinetit Rama 4 që nuk është e pranishme fizikisht por që do të sigurojë se tenderat publikë të jenë 100% të lirë nga korrupsioni.
“Diella” ka ndihmuar më shume se 1 milion aplikime ndërsa ka nxjerrë afro 36 mijë dokumente me vulë digjitale përmes portalit E-Albania. Po ashtu ekipi po punon edhe për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
