Kapet në Kakavijë me lëndë narkotike, arrestohet 24-vjeçari

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar në flagrancë një 24-vjeçar nga Divjaka, pasi u kap në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë duke hyrë në territorin shqiptar me lëndë narkotike.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve bënë të ditur se gjatë kontrollit fizik, shtetasit P. B., banues në Çermë Sektor, iu gjetën sasi kokaine dhe kanabisi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe një celular dhe një shumë parash.

Hetimet kanë zbuluar se i riu kishte kaluar ilegalisht kufirin. Materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin P. B., 24 vjeç, banues në Çermë Sektor, Divjakë, pasi ditën e djeshme, në PKK Kakavijë, në hyrje, gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, 1 celularë dhe një shumë parash. Gjithashtu rezulton se ky shtetas kishte kaluar ilegalisht kufirin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. G., 54 vjeç, pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi, pa lejen përkatëse.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi më datë 12.09.2025, rreth orës 19:00, në lagjen "Grehot", është gjetur në trotuar, pa shenja jete, shtetasja Gj. A., 86 vjeçe, banuese në Gjirokastër. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se kjo shtetase ka humbur jetën për shkaqe natyrale.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi mbrëmjen e djeshme, në lagjen "Granicë", shtetasi F. P., 20 vjeç, banues në Gjirokastër, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me një automjet të parkuar. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë 20-vjeçari dhe pasagjeria në automjetin e tij, të cilët pas ndihmës mjekësore janë larguar për në banesë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.