PARLAMENTI “47-VJEÇAR”/ 25 “Doktorë Shkencash” në Kuvend! Marjana Koçeku më e reja, 35 juristë dhe 31 ekonomistë

Marjana Koçeku është deputetja më e re e Kuvendit, vetëm 25 vjeç, ndërsa më i moshuari është Sali Berisha, 81 vjeç. Mosha mesatare e legjislaturës së re është 47.5 vjeç, me 35 për qind gra dhe një përfaqësim të gjerë profesionistësh. Në krye të listës së profesioneve dominojnë juristët, të ndjekur nga ekonomistët dhe mjekët

Marjana Koçeku është deputetja më e re e legjislaturës, e cila u betua të premten si ligjvënëse.

Ajo ka lindur me 16 nëntor të vitit 2000 ndërsa është edhe deputetja e vetme, e cila ka lindur në shekullin e ri. Ajo do të përfaqësojë Shkodrën në mandatin që do të zgjasë deri në 2029.

Pas saj si deputetja më e re është Zegjine Çaushi e Fierit. Çaushi ka lindur me 26 gusht të vitit 1998 ndërsa mban titullin avokat në të drejtën penale.

E  treta më e re në moshë është demokratja Klodjana Çapja e Elbasanit, e lindur me 17 maj të vitit 1994.

Në anën tjetër më të vjetrit kryesohen nga Sali Berisha, i cili është 81 vjeç dhe ka lindur më 15 tetor 1944 dhe mban titullin Profesor. Doktor ndërsa ka shërbyer në postet më të larta të vendit përfshirë President i Republikës dhe Kryeministër.

Pas Berishës një tjetër demokrat është më i vjetri edhe ai mjek. Bëhet fjalë për Tritan Shehun, i cili është plotë 76 vjeç.

I treti më i vjetri vjen nga radhët e socialistëve dhe është një tjetër mjek. Vasil Llajo është 69 vjecc dhe ka lindur në 24 nëntor 1956.

Mosha mesatare e ligjvënësve në legjislaturën e re është 47.5 vjeç, ndërsa 35 për qind e tyre janë gra.

Sa i përket profesioneve parlamenti do të jetë përsëri i larmishëm, ku në krye të listës qëndrojnë Juristët.

35 deputetë kanë studiuar drejtësi, 31 ekonomi dhe të tjerët vijnë nga fushat e Mjekësisë, Shkencave të Natyrës, Shkenca Politike dhe Inxhinieri e Art.

Në këtë legjislaturë 25 deputetë mbajnë gradën “Doktor i Shkencave”, ndërsa 5 prej tyre mbajnë titullin Profesor.