Vr*u mësuesen/ Nxënësi shqiptar shkoi edhe në sinagogë, donte të ...
Sulmi me thikë ndaj një mësueseje 45-vjeçare në një Kolegj Profesional në Essen të Gjermanisë, si dhe ndaj një të pastrehu (44 vjeç), ishte një sulm terrorist i planifikuar.
Sipas hetuesve, i riu kosovar donte të shkonte në Luftën e Shenjtë dhe të vriste qëllimisht “jobesimtarët”! Prokuroria Federale ka marrë përsipër hetimet ndaj atentatorit Erjon S. (17 vjeç) për shkak të rëndësisë së veçantë të rastit.
Sulmuesi me thikë plagosi rëndë si mësuesen, ashtu edhe të pastrehun. Më pas, studenti u drejtua drejt Sinagogës së Vjetër në Essen dhe duket se donte të vriste hebrenj.
Sipas Prokurorisë Federale, Erjon S. është mbështetës i “një ideologjie islamiste-xhihadiste”. Për këtë arsye, ai “që nga 3 shtatori 2025 kishte planifikuar të hynte vetë në xhihad kundër të ashtuquajturve jobesimtarë dhe më pas të gjente vdekjen si martir”.
“Për këtë qëllim, mëngjesin e 5 shtatorit 2025 ai fillimisht sulmoi në mënyrë të papritur me një thikë të madhe në zonën e barkut një mësuese që e njihte personalisht, në një kolegj profesional në Essen. Pak më vonë, ai goditi me një thikë një burrë të panjohur për të në rrugë të hapur, duke e plagosur në shpinë”.
Më pas, sipas Prokurorisë Federale, atentatori “në kërkim të viktimave të tjera (…) shkoi edhe dy herë te Sinagoga e Vjetër në Essen, pa takuar megjithatë persona që ai i konsideronte të përshtatshëm”.
Sipas informacionit të BILD, S. thuhet se ka trokitur në derën e sinagogës dhe i ka pyetur një gruaje nëse ishte hebre. Kur ajo u përgjigj se ishte kristiane, ai iku.
Nga rezultatet e reja të hetimeve, tani është gjithashtu e qartë se Erjon S. duket se ka sulmuar me thikë qëllimisht efektivët e SEK-ut. Dyshohet se i riu terrorist donte të provokonte që policia ta qëllonte, dhe kështu të bëhej martir islamist.
Sipas Prokurorisë Federale, Erjon S. veproi gjatë sulmeve “nga bindje radikal-islamiste, që synon formën e shoqërisë së lirë në Gjermani. Kjo bën që akti të jetë i përshtatshëm për të rrezikuar sigurinë e brendshme të Republikës Federale”.
Terroristi vazhdon të qëndrojë në paraburgim. Hetimet po vazhdojnë nga komisariati i vrasjeve dhe nga njësia për mbrojtjen e shtetit e policisë së Essen.
